2007-10-29 18:19:30

Propozim i ri i Vuk Drashkoviç për statusin e Kosovës, por nuk e ndryshon gjendjen


(29.10.2007 RV)Trojka e negociatorëve për statusin e Kosovës është mbledhur sot në Vjenë, me dyer të mbyllura, për të diskutuar dhe përmirësuar dokumentin prej 14 pikash, që do t’u paraqitet sërish palëve për bisedimet serbo-kosovare që do të mbahen më 5 nëntor. Përfaqësuesi evropian në Treshe, gjermani Volfgang Ishinger është shprehur se palët nuk e kanë vullnetin politik që të gjejnë një kompromis e ka shumë mundësi që të kalohet në shpalljen e njëanshme të pavarësisë nga ana e Kosovës.
Ndërkaq, ish-ministri i jashtëm serb, Vuk Drashkoviç ka dalë me një platformë të vetën për Kosovën. Sipas tij, Serbia duhet të ruajë integritetin e vet territorial, por duhet të heqë dorë nga sovraniteti mbi Kosovën, pra të mos ketë në dorë pushtetin ligjvënës dhe sistemin gjyqësor, policinë dhe ushtrinë.
E sot, Bashkimi Evropian i përgjigjet presidentit rus Putin, duke nënvizuar se çështja e Kosovës nuk do të përbëjë precedent për asnjë territor tjetër, kudo që të ndodhet.
Nga ana tjetër, gazeta londineze “Sandi Tajms” shkruan se shqiptarët dhe serbët në Kosovë po armatosen. Përmendet Armata Kombëtare shqiptare, e cila që tani vepron në veri të vendit, aty ku popullsia kërcënohet nga forcat e armatosura të Serbisë. Gjithashtu, edhe serbët e Kosovës po organizohen për t’u mbrojtur nëse do të jetë e nevojshme. Vetë gazetari, i dërguar nga “Sandi Tajms” në Kosovë, vë në dukje se njerëzit nuk kanë dëshirë për luftë, por janë gati të shpluhurosin armët, nëse situata do ta kërkojë.








All the contents on this site are copyrighted ©.