2007-10-29 17:23:43

Papa në Engjëllin e Tënzot kushtuar 498 martirëve spanjollë të lumnuar dje në Sheshin e Shën Pjetrit: “Çdo i krishterë duhet të jetë gati të japë jetën për Krishtin”.


(29.10.2007 RV)RealAudioMP3 Martirizimi nuk është përjashtim, nuk i përket vetëm pak njerëzve, por mund t’i ndodhë çdo të krishteri. Këtë theksoi Papa dje, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot në Sheshin e Shën Pjetrit, ku u lumnuan 498 martirë të mbytur në Spanjë gjatë persekutimit fetar në vitet ’30 të shekullit të kaluar. Por Benedikti XVI foli edhe për martirizimin në jetën e përditshme, për dëshminë e heshtur dhe heroike që japin shumë të krishterë, të cilët e jetojnë Ungjillin pa asnjë kompromis, duke kryer detyrën e tyre. E të krishterë të tillë ndodheshin, sigurisht, edhe ndërmjet turmës vigane, që mbushte përplot Sheshin e Shën Pjetrit. Vetëm nga Spanja kishin ardhur për të marrë pjesë në këtë lumnim, numerikisht më i madhi që është kremtuar nga Kisha katolike në rrjedhë të historisë së saj dymijëvjeçare, më se 40 mijë vetë. E Papa u foli mijëra shtegtarëtve pikërisht për 498 të Lumët e rinj, të mbytur për shkak të urrejtjes kundër fesë në vendin iberik ndërmjet viteve 1934 e 1937:
“Fakti që sot shkruajmë në librin e të Lumëve një numër kaq të madh martirësh, tregon se dëshmia e lartë e gjakut nuk është përjashtim, që i përket vetëm disa individëve, por rast i mundshëm për gjithë popullin e krishterë. Është fjala për burra e gra me moshë, thirrje e kushte shoqërore të ndryshme, që e paguan me jetë besnikërinë e tyre ndaj Krishtit e Kishës së Tij”.
Duke kujtuar liturgjinë e së dielës, Benedikti XVI i krahasoi martirët me Shën Palin. Apostulli, i burgosur në Romë, duke parë se po i afrohej vdekja, bën një bilanc plot mirënjohje e shpresë, sepse e ka luftuar deri në fund betejën e mirë, e ka kryer vrapin, e ka ruajtur fenë”.
Është në paqe me Hyjin e me vetveten, prandaj e përballon qetësisht vdekjen, me vetëdijen se e ka shkrirë pa kursim gjithë jetën në shërbim të Ungjillit”.
Muaji tetor, që i kushtohet posaçërisht veprimtarisë misionare – kujtoi Ati i Shenjtë – mbyllet kështu me dëshminë e ndritur të martirëve të Spanjës, që i shtohen martirëve Albertina Berkenbrok, Emanuel Gomez Gonzales, Adilio Daronk e Franc Jegershteter, që u shpallën të lum pak ditë më parë në Brazil e në Austri:
“Shembulli i tyre dëshmon se pagëzimi i ngarkon të krishterit detyrën që të marrë pjesë me guxim në përhapjen e Mbretërisë së Hyjit, duke mos kursyer, po të jetë nevoja, as jetën”.
Natyrisht jo të gjithë – nënvizoi Papa – janë të thirrur për t’iu nënshtruar martirizimit të egër, që kërkon gjak. Ka edhe martirizim në të cilin nuk derdhet gjak, por kjo nuk e bën aspak më të lehtë. I tillë është martrizimin i Selina Kludzhinska Borzheskas, bashkëshorte, nënë familjeje, vejushë, rregulltare, e cila u shpall e lume të shtunën e kaluar, në Romë:
“Është dëshmia e heshtur dhe heroike e shumë të krishterëve, që e jetojnë Ungjillin pa kompromise, duke kryer detyrën e tyre e duke iu kushtuar bujarisht shërbimit të të varfërve. Martirizimi në jetën e përditshme është dëshmi shumë e rëndësishme në shoqëritë e shekullarizuara të kohës sonë. Është beteja paqësore e dashurisë, të cilën çdo i krishterë, ashtu si Shën Pali, duhet ta luftojë pa u lodhur kurrë; është vrapimi për të përhapur Ungjillin, që duhet ta vijojmë deri në vdekje”.







All the contents on this site are copyrighted ©.