2007-10-29 17:24:43

Kardinali Bertone: Asnjë ndërlikim politik në lumnimin e 498 martirëve të Spanjës.


(29.10.2007 RV)RealAudioMP3 Sot paradite, në bazilikën e Shën Pjetrit, u kremtua Mesha e falënderimit për lumnimin e 498 martirëve të rënë për Krishtin në Spanjë, në vitet ’30. Ritin e kryesoi sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, në bashkëkremtim me dhjetra kardinaj, ipeshkvij e meshtarë e në praninë e mijëra besimtarëve, shumica spanjollë.
“Dashtë Zoti që ky lumnim të tingëllojë në Spanjë si thirrje e fuqishme për ta gjallëruar fenë e për ta thelluar bashkimin kishtar”- këtë theksoi kardinali Bertone gjatë homelisë së Meshës, mbajtur në gjuhën spanjolle.Duke pasur parasysh përpjekjet për t’i lexuar me sy ideologjik proceset e lumnimeve, Hirësia e Tij sqaroi se këta martirë nuk iu propozuan si shembull popullit të Zotit për veprimtarinë e tyre politike, as sepse luftuan kundër ndokujt, por sepse flijuan jetën për Krishtin, duke qenë plotësisht të vetëdijshëm se ishin gjymtyrë të Kishës”.
“Nuk janë heronj të thjeshtë, as personazhe të një epoke të largët – shtoi kardinali – fjala e tyre e gjestet e tyre na flasin e na nxisin t’i përngjasim sa më shumë Krishtit, sot, në kohët tona; të mos e humbasim guximin, të mos pështjellohemi e të mos mjaftohemi me ankime pa fryt, por të ndjekim kurdoherë e kudo, shembullin e tyre të ndritur me dashurinë që fiton mbi vdekjen, me entuziazmin që ngjall shpresa, me respektin për të vërtetën e me bujarinë që hap dyert e zemrave, për t’iu përgjigjur nevojave të të varfërve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.