2007-10-28 07:04:17

Lumnimi i 498 martirëve spanjollë, ftesë për përtëritjen e jetës së krishterë.


(28.10.2007 RV)Në kornizën madhështore të Sheshit të Shën Pjetrit në Vatikan, të pasur me simbole, ngjyra e tinguj, u kremtua sot Mesha solemne për lumnimin e 498 martirëve spanjollë të periudhës 1934-1937.
Kremtimin, me ritin e lumnimit, e kryesoi Kardinali Zhozè Saraiva Martins, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, në bashkëkremtim me të gjithë kardinajtë e Spanjës, me ipeshkvij, priftërinj e rregulltarë të shumtë e në praninë e një numri të madh besimtarësh e shtegtarësh. Dukej sikur kishin ngarendur nga të katër anët e botës, për të qenë të pranishëm në këtë kremtim të jashtzakonshëm, kur u ngrit në nderimet e elterit grupi më i madh i martirëve në historinë e lumnimeve: ipeshkvij, priftërinj, rregulltarë, rregulltare e shekullarë, simbol i madhështisë së Kishës spanjolle e sidomos, i Kishës katolike universale, siç e theksoi edhe kardinali Martins gjatë homelisë së kremtimit.
“Ky grup kaq i madh martirësh – theksoi Hirësia e Tij – e dëshmoi deri në martirizim dashurinë e vet ndaj Jezu Krishtit, besnikërinë ndaj Kishës katolike dhe ndërmjetësimin para fronit të Hyjit për mbarë botën. Para se të vdisnin, martirët i falën persekutorët, madje u lutën për ta, duke dhënë kështu dëshminë më të lartë për vërtetësinë e fesë.
Më pas kardinali Martins, pasi shpjegoi se ky kremtim mbahej në një vend me vlera të vërteta historike, vuri në dukje edhe simbolet e lumnimit: Kryqin e kuq, simbol i dashurisë deri në dhurimin e gjakut për Krishtin dhe palmën e stilizuar, në trajtën e gjuhëve të flakës, simbol i fitores së martirëve mbi botën e i zjarrit të Shpirtit Shenjt, që digjet, por nuk shuhet kurrë. E të gjitha simbolet, rrethuar si me kornizë nga fjalët: “Lumnimi i martirëve të Spanjës” – që të kujton hartën e botës. E si lajtmotiv i gjithë kremtimit – tha Hirësia e Tij – është zgjedhur një frazë nga Ungjilli i Shën Mateut: “Ju jeni drita e botës”. E vërtetë martirët ishin e janë drita e popujve edhe për kohët tona, kur të krishterët kërcënohen në identitetin e tyre, gjë që i bën ta ndjejnë fuqimisht atmosferën e martirizimit, sepse jeta e krishterë është dëshmim i përditshëm i besimit në birin e mishëruar të Hyjit, deri në martirizim. E kjo është paradigma e kësaj së vërtete që nga Rrëshajët.
Martirët që lartohen sot në nderimet e elterit – vijoi kardinali Martins - u kujtojnë burrave e grave të kohëve tona se të gjithë jemi të thirrur për të ecur në rrugën e shenjtërisë, ashtu si na e kujton edhe Koncili II i Vatikanit. Jeta e krishterë nuk mund të kufizohet vetëm në disa gjeste mëshire e bamirësie, ajo duhet jetuar në çdo çast të rrugës sonë mbi këtë tokë, në se duam që Jezu Krishti të jetë i pranishëm mes nesh e të na mësojë ta gjejmë madhështinë në kryerjen e detyrave tona të përditshme. Kështu dëshmia jonë e thjeshtë, do të lartohet në atë, që Gjon Pali II e quajti: “niveli i lartë i jetës së zakonshme të krishterë” e do të bëhet tharm në ngarjet më të rëndësishme të historisë së njerëzmit. Po përfundojmë - tha Hirësia e Tij – të bashkuar me Papën Benedikti XVI dhe me Kishën universale, që shtrihet në të pesë kontinentet, duke iu lutur martirëve të lumnuar sot të ndërmjetësojnë për ne, që të përflakur nga dëshira e gjallë e shenjtërisë, të ndjekim shembullin e tyre.







All the contents on this site are copyrighted ©.