2007-10-27 16:48:52

Shenjtorët e Javës së ardhshme sipas Kalendarit kishtar


(28.10.2007 RV)Sot, e diela XXX e kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar, u përkujtuan edhe Shenjtorët Simeoni e Juda, apostuj.
hënën do të kremtohen Shën Feliçiani, martir i Kartagjenës dhe Shën Ermelinda. Liturgjia e kremtimit të tyre na kujton se Jezusi, me mrekullitë e tij, vë në dukje sa brishtësinë njerëzore, aq dhe lajmin e mirë se ka ardhur për të na bërë të lirë e të fortë. Me fjalët e tij Krishti i çjerr maskën hipokritëve, që shkojnë nga fryn era e interesave vetjake, tepër larg vullnetit të Atit të Birit e të Shpirtit Shenjt.
Liturgjia e së martës, kur do të kremtohet Shën Gjermani, ipeshkëv i Kapuas na fton të reflektojmë për mbretërinë e Zotit, që është e e fshehur në histori: vetëm feja dhe shpresa e krishterë u krijojnë besimtarëve mundësinë ta dallojnë e t’i shërbejnë, me bindjen se forca e fshehur e Shpirtit Shenjt do ta bëjë këtë mbretëri të dukshme në kohë e do ta shndërrojë mbarë botën.
Shën Rodriguez, rregulltar jezuit dhe Shën Alfonsi (emëri i të cilit në gjuhën shqipe ka marrë trajtat Ukë e Ukshin), që Kisha do t’i kremtojë të mërkurën, na kujtojnë se Hyji është këngë e shpëtim për ata që i besojnë me gjithë zemër. E vetëm Zoti mund të na e thotë kush shëlbohet e kush jo! Ne mundemi vetëm të përpiqemi për t’u shëlbuar, duke e lënë Zotin të na prijë me fjalën e tij. Në se do të jetojmë ashtu si na mëson ai, sigurisht do të hyjmë edhe në mbretërinë e amshuar.
Solemniteti i të Gjithë Shenjtorëve, që do të kremtohet të enjten, na kujton brohorinë e Psalmistit: “Lum ata që e kanë zemrën e pastër, sepse do të shohin Zotin!”. E Zotin e shikojnë vetëm nxënësit, që ia besojnë krejt vetveten Hyjit. Nuk do të mbeten kurrë të zhgënjyer, sepse atyre u përket mbretëria qiellore.
Përkujtimi i besimtarëve të vdekur – “Dita e të shuemve”, që do të kremtohet të premten e ardhshme, na kujton se asgjë nuk do të humbasë në historinë që e kemi jetuar duke ecur pas Krishtit: jemi të tijtë e Ai do të na dhurojë jetën e pasosur. Prandaj Jezusi mori natyrën njerëzore: për ta pastruar atë nga mëkatet e për t’i dhuruar amshimin. Shën Martini i Porres dhe Shën Silvia, nëna e Shën Gregorit të madh, që do të festohen të shtunën e ardhshme, na kujtojnë se nuk jemi ne që e zgjedhim vendin ku do të rrimë në mbretërinë qiellore. Na e zgjedh vetë Hyji Atë. Është ai që na ka thirrur, që na jep një vend, një dhuratë. E natyrisht, sa më shumë t’ia besojmë vetveten, aq më e madhe do të jetë dhurata e Tij, të cilën sot për sot nuk jemi në gjendje as ta përfytyrojmë.







All the contents on this site are copyrighted ©.