2007-10-26 17:26:18

Papa ipeshkvijve të Gabonit: “Krijoni struktura të forta për edukimin e krishterë, përballë kundërvlerave të konsumizmit”.


(26.10.2007 RV)Edukim në të gjitha nivelet, duke pasur në qendër të vëmendjes posaçërisht laikët, për t’iu kundërvënë kështu çkristianizimit dhe vështirësive që has inkulturimi i mesazhit ungjillor. Kjo është detyra kryesore për Kishën e Gabonit- theksoi Papa në takimin me ipeshkvijtë e vendit afrikan, të cilët i priti sot në audiencë në Vatikan. Edukimi i krishterë duhet bazuar mbi parime të qarta – ripohoi Benedikti XVI, duke nënvizuar, ndërmjet detyrave më urgjente të Kishës në Gabon, predikimin e Ungjillit në mënyrë të tillë, që t’u mbetet përgjithnjë në mendje dëgjuesve, transmetimin e fesë e thellimin në misterin e krishterë.
“Gabonezët – theksoi Ati i Shenjtë - nganjëherë joshen nga shoqëria e konsumit dhe e permisivizmit, që nuk i kushton vëmendjen e duhur të varfërve të vendit. Prandaj i inkurajoj ta thellojnë frymën e vëllazërimit e të solidaritetit. E uroj të kenë gjithnjë sjellje shembullore përsa u takon vlerave shpirtërore e morale”.
Për t’i arritur këto rezultate – vijoi Papa – duhet që strukturat e edukimit të organizohen në një mënyrë të tillë, që të jenë vërtetë të frytshme, gjë që kërkon edhe përgatitjen e meshtarëve e të laikëve të aftë. Në këtë mënyrë edhe bashkësitë kishtare do të gjallërohen e besimtarët do të gjejnë në liturgji, në lutjen personale, familjare e komunitare, forcën për të qenë, në të gjitha fushat e jetës, dëshmitarë të lajmit të mirë të Ungjillit, artizanë të pajtimit, të drejtësisë e të paqes, për të cilën bota jonë ka nevojë më shumë se kurrë. Në vijim Papa preku të gjitha problemet më të mprehta të Kishës e të hjerarksisë gabonese, falënderoi klerin e familjet rregulltare për dëshminë e tyre, i ftoi ipeshkvijtë ta mbështesin në ministerin e tij e të jenë si baballarë për të rinjtë e vendit.
“Të gjithë të krishterët e posaçërisht prindërit – tha Benedikti XVI – të mobilizohen për t’i ftuar të rinjtë t’ia hapin zemrën Krishtit e të ecin në gjurmët e Tij. Zoti dëshiron t’u japë të gjithëve hirin e një jete të bukur e të mirë si dhe shpresën, që i ndihmon të gjejnë kuptimin e vërtetë të jetës, në sa janë të rrethuar nga rreziqe jo të pakta”.
Uroj – tha në përfundim Papa – që të rinjtë të bëhen ungjillëzuesit e parë të bashkëmoshtarëve të tyre, duke pasur parasysh se rruga e miqësisë është një nga më të frytshmet për ta zbuluar Krishtin e për ta ndjekur, duke ia kushtuar gjithë jetën.







All the contents on this site are copyrighted ©.