2007-10-26 17:26:41

Lumnimi i Franc Jegershteter, martir i kohëve tona, që iu kundërvu nazizmit në emër të Ungjillit.


(26.10.2007 RV)U kremtua sot paradite, pranë katedrales së Zojës së Papërlyer, në Linc të Austrisë, Mesha e shenjte, gjatë së cilës u shpall i lum Franc Jegershteter, martir i fesë, që iu kundërvu partisë së Hitlerit gjatë konfliktit të dytë botëror. Kremtimin, mbajtur pikërisht në ditën kur kujtohet çlirimi i vendit nga nazizmi, e kryesoi ipeshkvi dioqezan, Ludvig Shvarc, ndërsa Atin e Shenjtë e përfaqësonte kardinali Zhozè Saraiva Martins, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve.
I lumi i ri, laik, i martuar, baba familjeje, vdiq në moshën 36 vjeçare, sepse iu kundërvu nazizmit. Pati guximin t’i thoshte ‘jo’ njerëzve, për t’i qëndruar besnik mësimeve të Ungjillit, që i kishte nxënë gjatë jetës së tij prej fshatari të thjeshtë në Austrinë e Epër, ku kishte lindur më 1907. Parimet që mbrojti në jetën e përditshme, i dhanë forcë t’i kundërvihej Raihut të Tretë, që e thirri nën armë më 1943. Ai nuk pranoi të rrokte armën, siç nuk kishte pranuar, më parë të bëhej kryetar bashkie në Austrinë e pushtuar nga Gjermania naziste. E burgosën, po ai nuk u lëkund. Në birucë, duke pritur vdekjen si dezertor, shkroi testamentin e vet, në të cilin nënvizon: “Po shkruaj me duar të lidhura – po jam shumë më i kënaqur kështu, sesa po të kisha lidhur me zinxhirë vullnetin tim”. Mbetet, kështu, shembull për të krishterët e kohëve tona, kur nuk mungojnë manipulacionet e ndërgjegjeve, dredhimet e mendjeve e luhatjet e zemrave. Ai – siç theksoi edhe kardinali Martins – vijon t’u japë guxim besimtarëve të vërtetë, duke i mësuar ta jetojnë fenë e tyre pa u lëkundur e pa marrë fare parasysh pasojat e rënda, deri në flijimin e vetvetes. Mbi figurën e të Lumit të ri, flet në mikrofonin tonë postulatori i Çështjes së Lumnimit, avokati Andrea Ambrozi:
Përgjigje: - Ishte një fshatar i cili, si i tillë, u bë shembull i laikut që iu kundërvu me guxim regjimit hitlerian. I thirrur në shërbim ushtarak në vitin ‘43, në kulmin e konfliktit botëror, deklaroi se si i krishterë që ishte, nuk mund t’i shërbente ideologjisë hitleriane e, aq më pak, të merrte armën për të luftuar një luftë të padrejtë. Natyrisht të gjithë ata që e rrethonin e dinin mirë ç’e priste. Po ai nuk u luhat kurrë, madje e shpjegoi këtë qëndrim, duke u mbështetur gjithnjë në mësimet e Ungjillit e duke e cituar Shkrimin Shenjt në një mënyrë të tillë, sa ta linte me gojë hapur edhe vetë famullitarin, me të cilin këshillohej në një situatë të tillë të vështirë. Ai nuk deshi ta rrokte armën, me bindjen se besimtari katolik nuk mund e nuk duhet t’i bëjë keq askujt.
Pyetje: - Ç’na mëson sot me shembullin e tij?
Përgjigje: - Ai qe i aftë të flijonte mbi elterin e dashurisë së Zotit të gjitha gëzimet tokësore. Nuk është i vetmi njeri i Kishës katolike, që u martirizua nga nazistët. Po figura e tij është nga më interesantet pikërisht sepse qe laik, baba familjeje, njeri i thjeshtë që e kuptoi se regjimi nacionalsocialist synonte ta çonte në shkatërrim vetë idenë e Krishtit. Prandaj, ndonëse e donte me gjithë zemër të shoqen, e po aq edhe fëmijët, i la të gjitha, për të mbrojtur parimet e veta ungjillore. E kjo ësht, një dëshmi e madhe!







All the contents on this site are copyrighted ©.