2007-10-26 17:45:44

Kriza energjitike në Shqipëri: bën ftohtë e njerëzit luten për shi


(26.10.2007 RV)Një artikull me ironi therëse publikohet në agjensinë italiane ANSA për krizën energjitike shqiptare. Autori Bepe Deziderato vë në dukje se shqiptarët varen vetëm nga qielli për energjinë elektrike e madje këtë e pohojnë edhe vetë krerët e KESH-it. Janë 900 mijë, kontratat e lidhura me Korporatën në të gjithë vendin, e përdoruesve u pritet drita nga 4 orë në ditë në Tiranë deri në një maksimum prej 15 orësh në fshatrat më të thella. Shumë kanë blerë grupe elektrogjene, duke kontribuar jo pak në ndotjen e ambientit.
Se përse shqiptarët do të vazhdojnë të rrinë pa drita e shpjegon shumë mirë gazetari, duke evidentuar shifrat. Aktualisht, prodhimi i brendshëm i energjisë elektrike mbahet në 6-7 milion kilovatorë në ditë. Rrjeti ekzistues në Shqipëri lejon importimin e një sasie prej 13 milion kilovatorësh në ditë. Shuma nuk arrin në 24 milion kilovatorë në ditë, sasia që do të nevojitet për dimrin, sipas vlerësimeve të vetë KESH-it. Për këtë vit do të importohen 2,7 miliard kilovatorë, të cilat rëndojnë në xhepin e qytetarëve duke rritur inflacionin, i cili në shtator ishte i rendit 4,4%.
Brenda vitit 2009 do të funksionojë termocentrali i parë prej 100 megavatësh në Vlorë e parashikohet ndërtimi i dy termocentraleve të tjera, por nuk mjafton. Duhet të rinovohet rrjeti e të luftohet abuzivizmi. Deri atëherë shqiptarët duhet t’i luten Zotit të shiut.







All the contents on this site are copyrighted ©.