2007-10-26 17:45:54

Gjenda në Mianmar, në kufirin Turqi-Irak e lajme të tjera


(26.10.2007 RV)Thirrje drejtuar juntës ushtarakë birmane që të intensifikojë dialogun me udhëheqësen e opozitës, Oun San Su Çi. Apeli u bë sot paradite në Tokjo, ku ndodhet në vizitë zyrtare i dërguari i OKB-së për Birmaninë, Ibrahim Gambari, i cili është takuar me kryeministrin japonez Fukuda. Dje, ndërsa Gambari ndodhej në Kinë, vend aleat i juntës birmane, Oun San Su Çi u prit nga përfaqësuesit e regjimit të Rangunit. Ndërkaq, sot policia birmane ka rrethuar sërish manastiret budiste në vend për t’i penguar murgjërit të organizojnë protesta të tjera.


Në kufirin ndërmjet Turqisë dhe Kurdistanit irakian vazhdon disllokimi i trupave ushtarake turke, në përgatitje të një ofensive në vendin fqinjë. Sipas ushtrisë turke, janë së paku 64, anëtarët e Partisë së Punës së Kurdistanit, që janë vrarë gjatë javëve të fundit. Ndërkaq, në Ankara bëhen përpjekje për t’i lënë fjalën e fundit diplomacisë. Bisedimet u ndërprenë për pak orë në periudhën e drekës e për irakianët kanë qenë pozitive.

Irani dhe Rusia kanë dënuar sanksionet e reja amerikane kundër Iranit, të cilat, sipas sekretares amerikane të shtetit, Kondolica Rajs janë më të ashprat që nga viti 1979, vit i revolucionit khomeinist. Ministria e Jashtme në Teheran i konsideron masat në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, ndërsa presidenti rus Vladimir Putin është i mendimit se sanksionet e keqësojnë situatën. Ato drejtohen kundër financave të Gardës revolucionare që përfshijnë tri banka shtetërore, 22 firma dhe Ministrinë e mbrojtjes.


Ligjvënësit amerikanë e kanë shtyrë votimin mbi rezolutën, e cila quan "gjenocid" vrasjen e më shumë se një milion armenëve gjatë Luftës së Parë Botërore nga turqit osmanë. Sponsorizuesit e rezolutës i kërkuan kryetares së Dhomës Përfaqësuese, Nensi Pelozi që votimi të bëhet nga fundi i vitit, ose në vitin 2008.


Ka arritur në 15 bilanci i viktimave nga zjarret në Kaliforni. Gjashtë kufoma u zbuluan dje në kohën kur presidenti Xhorxh Bush dhe guvernatori Arnold Shvarceneger vizituan me helikopter zonat e goditura dhe premtuan ndihma nga qeveria e Uashingtonit.







All the contents on this site are copyrighted ©.