2007-10-25 19:05:59

Papa takoi studentët e Universiteteve Papnore në fillim të Vitit akademik.


(25.10.2007 RV)Sot pasdite, në orën 17. 00, kardinali Zenon Groholevski, prefekt i Kongregatës për Edukimin Katolik, kryesoi Meshën për fillimin e Vitit akademik të Universiteteve Papnore.
Në përfundim të liturgjisë, Papa zbriti në bazilikë për t’i përshëndetur të pranishmit, duke u ofruar një reflektim për kuptimin dhe vlerën e përvojës së studimeve në Romë. Benedikti XVI nënvizoi se Roma është e pasur me kujtime historike, me kryevepra arti e kulture e sidomos, me dëshmi të jashtzakonshme të fesë së krishterë. E pikërisht në këtë qytet të jashtzakonshëm – vijoi të reflektonte Shenjtëria e Tij - kanë lindur në shekuj, shumë universitete e fakultete kishtare, ku janë edukuar brezni të tëra meshtarësh e veprimtarësh baritorë, ndërmjet të cilëve, shumë shenjtorë e njerëz të ndritur të Kishës. Si kujtoi se edhe studentët e ditëve tona ecin në të njëjtat gjurmë, duke i kushtuar shumë vite të jetës thellimit në disipilina të ndryshme humanitare e teologjike, Papa theksoi detyrat e tyre kryesore: “Të përgatiten për ta kryer sa më mirë detyrën që i pret në fusha të ndryshme të veprimtarisë apostolike. T’i përgjigjen sfidës së kohës që nuk kërkon vetëm përhapjen e Ungjillit të Krishtit, por sidomos depërtimin e tij të thellë në mënyrën e mendimit, të gjykimit, të sjelljes e në të gjithë kulturën e njeriut bashkëkohor”. Kësaj sfide kulturore e shpirtërore – u tha Papa studentëve e profesorëve - duhet t’u shërbejnë mësimet e shumta, të cilat i merrni në universitetet dhe në qendrat që frekuentoni.
Mundësia për të studiuar në Romë, seli e pasardhësit të Shën Pjetrit, ju ndihmon ta forconi vetëdijen se i përkisni Kishës dhe impenjimin për t’i qëndruar besnikë mësimeve universale të Papës”- theksoi Benedikti XVI, dhe në vijim kujtoi se edhe takimi e njohja reciproke e studentëve të ardhur nga të katër anët e botës, ndihmon për shkëmbimin e përvojës dhe për ta ndjerë veten pjesëtarë të familjes së madhe të Hyjit.
Por mbi të gjitha, Papa i porositi profesorët e studentët ta shoqërojnë studimin e shkencave humanitare e teologjike me thellimin e njohjes së Krishtit:
”Uroj që këto vite studimi në Romë, përveçse vite formimi serioz intelekual, të jenë në radhë të parë vite lutjeje, në përkim të përhershëm me Mësuesin Hyjnor, që ju zgjodhi në shërbim të tij” - tha në përfundim Ati i Shenjtë.
Kujtojmë se Papa po i fliste një realiteti të madh kishtar e kulturor të përbërë nga 16 Shkolla të larta papnore: prej tyre, shtatë janë Universitete papnore, sepse kanë më se katër fakultete e gjinden të gjitha në Romë. Janë, pastaj, edhe katër fakultete të posaçme, tre Institute papnore e shtatë Institute për specializim të lartë, të lidhura me universitetet, me 17 mijë studentë e 2100 pedagogë. Studentët e universiteteve papnore vijnë nga mbarë bota. Janë priftërinj, rregulltarë e rregulltare, por edhe laikë. Duke i takuar për herë të parë vitin e kaluar, më 23 tetor, Papa u pati kujtuar se thellimi në të vërtetat e krishtera dhe studimi i teologjisë ose i disiplinave të tjera fetare kërkon edukimin me heshtjen e me kundrimin, sepse studentët, në radhë të parë, duhet të bëhen të aftë të dëgjojnë zërin e Zotit që u flet. Kështu shmanget rreziku i përdorimit të fjalëve të tepërta, që bota i thotë për të fituar miratimin e opinionit të përgjithshëm e njeriu mësohet të dialogojë me Atin e Birin e Shpirtin Shenjt, siç patën bërë nxënësit e Krishtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.