2007-10-25 19:05:46

Benedikti XVI priti liderin e Presidencës kolegjiale të Bosnjë-Hercegovinës Komšiç. Shkëmbim i mjeteve të ratifikimit të Marrëveshjes së Bazës ndërmjet Selisë së Shenjtë e Vendit ballkanik.


(25.10.2007 RV)RealAudioMP3 Sot, ndërmjet takimeve të shumta të Benediktit XVI, spikati audienca me presidentin e Presidencës Kolegjiale të Bosnjë-Hercegovinës, Željko Komšiç. Gjatë takimit të përzemërt - sipas një note të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë - u fol kryesisht për vënien në jetë të Marrëveshjes së Bazës, që ka të bëjë me impenjimin e Kishës në fushën e edukimit, të veprimtarive shoqërore e bamirëse dhe të asistencës baritore të besimtarëve katolikë. U ripohua – vijon nota - edhe kontributi i bashkësisë katolike për favorizimin e bashkëjetesës paqësore ndërmjet etnive dhe grupeve të ndryshme fetare në vend.
Nga ana e tij, presidenti Komšiç, si nënvizoi rëndësinë e Marrëveshjes së Bazës dhe theksoi, ndërmjet tjerash, progresin e Bosnjë–Hercegovinës drejt hyrjes në Bashkimin Evropian e në NATO, i drejtoi Papës ftesën për të vizituar vendin. Menjëherë pas bisedimit me Papën, presidenti Komšiç dhe sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, shkëmbyen mjetet e ratifikimit të Marrëveshjes së Bazës ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Bosnjë-Hercegovinës – nënshkruar në Sarajevë në vitin 2006 – dhe firmosën Protokollin-shtesë përkatës, gjithnjë të 2006-tës, që përcaktojnë fushat e veprimtarisë kishtare në Vendin ballkanik. Kardinali Bertone e quajti këtë ditë ‘historike, dhe uroi të shënojë fillimin e një bashkëpunimi të gjatë dhe të frytshëm ndërmjet Selisë së Shenjtë e vendit, në të cilin dramat e luftës, që la pas 300 mijë të vdekur vetëm në Bosnjë-Hercegovinë, janë ende tepër të freskëta.







All the contents on this site are copyrighted ©.