2007-10-24 17:31:15

Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme kushtuar Shën Ambrozit: mësuesit e fesë të jenë para së gjithash dëshmitarë, e jo "palaço që luajnë një rol".


(24.10.2007 RV)RealAudioMP3 “Kush predikon Ungjillin, krahas dijes së fituar përmes studimit dhe reflektimit, duhet edhe ta dëshmojë dashurinë e krishterë për të tjerët, por nuk mund të jetë kurrë palaço që luan një rol, sepse këtë ia kërkon zanati”. Është një pohim me vlera të mëdha kjo sintezë e katekizmit të Benediktit XVI në audiencën e përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, kushtuar figurës së Shën Ambrozit.
Ambrozi qe një Gjon tjetër. Ipeshkvi i famshëm, që i priu në fe Milanos së shekullit IV, njeri i ligjit e funksionar civil - u zgjodh njëzëri si nxënës i dashur nga Jezusi. Ashtu si Shën Gjoni Apostull, qe i aftë ta thithte drejtpëdrejtë nga Zemra e Mësuesit thelbin e mesazhit të tij të dashurisë e të bëhej jo vetëm mësues i fesë, por edhe, e sidomos, dëshmitar i dashurisë së krishterë. Me këtë krahasim e përfundoi katekizmin e sotëm Benedikti XVI, i cili u paraqiti tridhjetmijë besimtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, në një ditë të butë vjeshtarake, pas të ftohtave të parakohshme - figurën e një dëshmitari të vërtetë të Zotit. E duke vijuar të flasë për Shën Ambrozin, Papa shpjegoi se ipeshkvi shenjt pati meritën ta kthente zemrën e Shën Agostinit në rrugën e Zotit, jo vetëm falë përshpirtërisë, por kryesisht falë shembullit të tij. Agostini – shpjegoi Benedikti XVI - u prek thellë kryesisht nga radha e gjatë e njerëzve që kërkonin çdo ditë të flisnin me Ambrozin ipeshkëv, sepse ai u jepte ngushëllim e këshilla të urta për zgjidhjen e problemeve të tyre. Duke folur për shërbimin që kryen Ambrozi e Agostini – vërejti Papa – kuptohet menjëherë se katekizmi është i pandarë nga dëshmimi i tij në jetë. E këtë duhet ta kenë të qartë edhe katekistët e sotëm:
“Kush edukon të tjerët në fe, nuk mund të rrezikojë të duket si një lloj palaçoje, që luan një rol, thjeshtë sepse këtë ia kërkon zanati. Përkundrazi – në se përdorim një figurë të dashur për Origjenin, shkrimtar tepër i pëlqyer nga Ambrozi – ai është si nxënësi i dashur, që mbështet kokën mbi zemrën e Mësuesit e atje mëson si të mendojë, si të flasë, si të veprojë. Në fund të fundit mund të themi se dishepull i vërtetë është ai që e kumton Ungjillin në mënyrë të besueshme e të frytshme”.
Për Agostinin e ri, ende në kërkim të Zotit, fryti i kumtimit të krishterë u shfaq me një dukje të dyfishtë: personale e komunitare. Dëshminë personale e pa me sytë e vet tek ipeshkvi i asokohshëm i Milanos. Benedikti XVI tregoi sesi ipeshkvi i ardhshëm i Iponës mbeti pa mend, kur e pa Ambrozin duke e lexuar Shkrimin Shenjt me gojë mbyllur, vetëm me sy. Një lexim i tillë i binte ndesh dokeve të kohës, sipas të cilave Bibla duhej lexuar me zë të lartë edhe personalisht. Nga kjo mënyrë e leximit të Shkrimit Shenjt, Agostini fitoi aftësinë për t’u familjarizuar me Biblën:
“Në këtë lexim me lëvizje të pandjeshme të buzëve, përmes të cilit zemra përpiqet të arrijë urtinë e Fjalës së Hyjit - e kjo është ikona për të cilën po flasim – mund të shihet qartë metoda e katekizmit ambrozian: është vetë Shkrimi Shenjt, i përvetësuar në thellësi të shpirtit, që të mëson çka duhet të kumtosh për t’u prirë zemrave në rrugën drej Zotit”.
Papa theksoi se dëshironte që kjo figurë e Shën Ambrozit të mbetej në kujtesën e besimtarëve si ikonë patristike, përmes së cilës duket qartë “zemra e doktrinës ambroziane”. Por ikonë është edhe dëshmia e fesë që Shën Agostini e pa tek besimtarët, sapo arriti në Milano:
”Ajo që e tundi zemrën e rektorit të ri afrikan, dyshmitar e të dëshpëruar, e që e bëri të pendohej përfundimisht, nuk qenë homelitë e bukura të Ambrozit, ndonëse i vlerësonte shumë. Qe dëshmia e ipeshkvit dhe e Kishës së tij milaneze, që lutej e këndonte, e bashkuar si një trup i vetëm”.
Papa e përfundoi katekizmin me fjalët e një prej lutjeve të thella të Shën Ambrozit kushtuar Krishtit: “Në se dëshiron të mjekosh një plagë, ai është mjeku; në se buza jote, shkrumbuar nga ethet, kërkon një pikë ujë, ai është burimi; në se ke nevojë për ndihmë, është ai forca; në se dëshiron qiellin, ai është udha”.“Të Shpresojmë edhe ne në Krishtin. Do të jemi kështu të lum e do të jetojmë në paqe!”.
Pas përmbledhjes së katekizmit në nëntë gjuhë, Benedikti XVI e përfundoi audiencën duke përshëndetur grupet e pranishme, posaçërisht përfaqësuesit e Shoqatës së familjeve të emigrantëve, të cilët i uroi të provojnë gjithnjë gëzimin që buron nga solidariteti e nga ndihma reciproke, posaçërisht në çaste të vështira.







All the contents on this site are copyrighted ©.