2007-10-24 16:41:02

24 tetori Dita Botërore kushtuar Kombeve të Bashkuara. Sfida e reformave.


(24.10.2007)RealAudioMP3 Sot kremtohet Dita Botërore kushtuar Kombeve të Bashkuara. “Duhet të mësojmë si të konfrontohemi mbi nevojat e reja dhe të sigurojmë standarte etike, integriteti dhe përgjegjësie për të treguar se jemi në gjendje t’u japim përgjigje njerëzve në të gjithë botën”. Kjo është thirrja e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Mun për këtë ditë. Ngjarja e sotme kujton datën e miratimit të Kartës së OKB-së, më 24 tetor 1945. Në këtë moment, Kombet e Bashkuara janë para reformave. Të dëgjojmë Sandro Kalvanin, drejtori italian i Institutit ndër-rajonal të OKB-së për Krimin dhe Drejtësinë, institut që pati organizuar kurse për magjistratët e papërvojë të Shqipërisë në vitet e para pas diktaturës:
Kombet e Bashkuara, në këtë moment, ndodhen në fillim të një reforme të madhe për të vënë në qendër të shërbimeve të tyre personin dhe nevojat e terrenit. Në të kaluarën ka pasur një lloj shpërndarjeje, për shkak të krijimit të Organizatave të specializuara dhe për shkak të një këndvështrimi të ndryshëm mbi temat e zhvillimit njerëzor, të drejtave të njeriut dhe sigurisë. Sot, kuptohet më shumë se Kombet e Bashkuara duhet të ofrojnë shërbime si një realitet i bashkuar, pasi nuk mund të ndahen nevojat e një fëmije në komponenten ushqimore, në atë të shëndetit, të edukimit apo të sigurisë personale etj. Grupet përgjegjës për këto komponente duhet të punojnë sëbashku e kjo do t’i mundësojë OKB-së të jetë më e shpejtë në ndërhyrje.
Përsa i përket punës suaj si drejtor i Institutit ndër-rajonal për Krimin e Drejtësinë, si është gjendja aktuale?
Është një situatë që shqetëson shumë, pasi globalizimi i ka hapur kufirin çdo lloj njeriu, por edhe qarkullimit të mallrave, të parasë dhe të shërbimeve. Është rritur jashtëzakonisht qarkullimi i njerëzve, por ky qarkullim nuk është i lirë e prandaj, emigracioni paraqet problem. Kjo ka sjellë lehtësira të mëdha për krimin e organizuar, i cili është me të vërtetë i globalizuar. Ka një aftësi pasurimi të paligjshëm që korrupton vetë shoqërinë, minon bazat e demokracisë dhe shkatërron marrëdhëniet e mira ndërmjet popujve. Duhet të gjejmë forma të përbashkëta për të përballuar kërcënimet e krimit. Instituti im merret pikërisht me këtë. Shumë është zbuluar tashmë. Nëse policia e Hong Kongut, nga policia më e korruptuar e botës është bërë policia më efikase, do të thotë se ka teknika që mund të zbatohen në nivel ndërkombëtar e që OKB-ja mund t’i ofrojë. Krimi ndoshta nuk do të zhduket, por është e rëndësishme që të bëjë më pak dëme nga sa po bën sot.







All the contents on this site are copyrighted ©.