Vatikani është dakord me përdorimin paqësor të energjisë bërthamore edhe për Iranin
(23.10.2007 RV)“Po” përdorimit paqësor të energjisë bërthamore, “sigurisht
edhe nga ana e Iranit”, sepse energjia bërthamore “është në të mirë të njerëzimit”.
Këto janë fjalët e kardinalit Renato Rafaele Martino, president i Këshillit Papnor
për Drejtësinë dhe Paqen, i cili komentoi takimin e sotëm në Romë ndërmjet Përfaqësuesit
të Lartë evropian për Politikën e jashtme, Havier Solana dhe negociatorëve iranianë
Ali Larizhani e pasardhësit të tij, Said Zhalili. Në Napoli për takimin ndërfetar
“Njerëz dhe fe” të organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit, Martino theksoi se mundësia
që përdorimi paqësor i energjisë bërthamore të degjenerojë në një përdorim jo paqësor
“varet nga qëllimet”. Përsa i përket konferencës ndërkombëtare për Lindjen e Mesme,
kardinal Martino shprehu edhe një herë vullnetin e Selisë së Shenjtë për të inkurajuar
çdo lloj dialogu në një zonë shumë të dashur për të krishterët. “Është toka e Jezu
Krishtit – tha ai – e do të donim që të bëhej me të vërtetë një tokë paqeje e vëllazërimi”. Kardinal
Martino u ndal edhe në konfliktin turko-kurd dhe uroi që të bëhet ç’është e mundur
për të evituar gjakderdhjen. Selia e Shenjtë, shpjegoi prelati, ka hapur kanalet e
saj të dialogut nëpërmjet nunciaturës. Këto kanale nuk dalin në mjetet e shtypit,
por bëjnë punën e vet, përfundoi kardinal Martino.
Nuk ndalet procesi
i talebanizimit të Pakistanit, pavarësisht nga premtimet formale të qeverisë e
të autoriteteve lokale. Ekstremizmi islamik arriti në rrafshinën e Suatit, dikur e
njohur si “Zvicra e Orientit”. Në një raport të organizatës pakistaneze për të drejtat
e pakicave denoncohen abuzime ndaj popullsisë. Njëri prej shembujve ka të bëjë edhe
më një lice katolik në zonë. Në një letër, një grup fondamentalist islamik akuzon
shkollën se i kthen me forcë nxënësit në krishterim dhe i largon nga morali islamik.
Grupi kërkon që të pushohen nga puna të gjithë mësuesit e krishterë, në rast të kundërt
kërcënon sulme me kamikaze. Në vend që të dëgjojnë shkollën, autoritetet lokale kanë
detyruar edhe vajzat e krishtera të vishen me ferexhe. Nxënësit e krishterë e kanë
lënë shkollën dhe shumë prej familjeve mendojnë të emigrojnë.