2007-10-23 18:22:09

Osama Bin Laden u kërkon terroristëve irakianë të qëndrojnë të bashkuar


(23.10.2007 RV)RealAudioMP3 Osama Bin Ladeni, sheiku i terrorit, flet sërish me anë të një mesazhi audio, transmetuar nga televizioni arab Al Zhazira. Kreu i Al Kaidës nuk është i kënaqur me xhihadin në Irak dhe u bën thirrje grupeve të ndryshme irakiane të bashkohen. Guerrilja islamike pra, po fragmentohet. Cilat janë arësyet e këtyre përçarjeve? Në mikrofonin tonë, Loreta Napoleoni, gazetare italiane, eksperte e terrorizmit:
Që nga vdekja e Al Zarkauit, grupet janë shumëfishuar, pikërisht sepse mungon figura karizmatike e liderit. Ky mesazh konfirmon gabimin që është bërë duke mos e zëvendësuar Al Zarkauin me një figurë të ngjashme. Sa janë grupet? Gjendemi përballë qindra e qindra grupesh, të lidhura me fise të ndryshme. Kemi përballë një gjendje sektarizmi dhe fragmentimi ekstrem.
Ky mesazh konfirmon gjithashtu atë që thonë në fakt amerikanët. Rritja e numrit të ushtarëve në zonat më të nxehta duket se fillon të funksionojë dhe të zvogëlojë dukshëm forcën e rebelimit islamik.







All the contents on this site are copyrighted ©.