2007-10-23 17:32:34

Objektivat e ipeshkvijve të Gabonit, në vizitë ‘ad Limina’: të kujdesen për formimin e krishterë të të rinjve e të bashkëpunojnë për unitetin e vendit.


(23.10.2007 RV)RealAudioMP3 Gjashtë vjet pas vizitës së tyre të fundit ‘ad Limina’ – tek Varret e Apostujve, ipeshkvijtë e Gabonit ndodhen përsëri në Vatikan, ku kanë ardhur që dje për t’u takuar me Benediktin XVI e për t’i folur për progresin, por edhe për problemet e Kishës në vendin afrikan. Është një Kishë që kryen veprimtarinë e vet ungjillëzuese në një shtet të lirë, por jo pa probleme, ndërmjet të cilave në radhë të parë duhet kujtuar ai i përhapjes së sekteve fetare.
Kisha gaboneze është 160 vjeçe. Historia e krishterimit në vend nis përmes veprimtarisë së misionarëve të Kongregatës së Shpirtit Shenjt. Meshtari i parë vendas u shugurua në vitin 1899, ndërsa hjerarkia kishtare u organizua në fillim të vitit 1950. Më 1982 në Libreville ishte për vizitë Gjon Pali II, që i la Kishës vendase porosinë: “Ngreu e ec!” E sot, si ka mësuar të ecë e sigurtë me këmbët e veta, Kisha ka ungjillëzuar më se gjysmën e banorëve të vendit, për të cilët kujdesen një kryedioqezë metropolitane, katër dioqeza e një prefekturë apostolike. Pjesa tjetër e gabonezëve janë protestantë ose ndjekin besimet tradicionale. Sfida aktuale për Kishën e Gabonit është përballimi i sekteve, kryesisht pentekostale, që po përhapen me shpejtësi në vend, siç pohon edhe kryeipeshkvi i Libreville, imzot Bazile Mvé Engone, në mikrofonin e Radio Vatikanit:
“Kisha e Gabonit është themeluar nga Etërit e Shpirtit Shenjt në vitin 1844. Ishte Atë Besië ai që ngriti kishën e parë dhe strukturat e para. Sot vendi, i pavarur që nga viti 1960, me burime të mëdha natyrore, posaçërisht i pasur me diamante, po përpiqet të krijojë kushte për një zhvillim, nga i cili mund të përfitojë pjesa më e madhe e popullsisë. Në planin shoqëror nuk ka konflikte. E kjo, sepse politikanët e Gabonit përpiqen t’ua ndajnë me drejtësi të gjithëve pasuritë e vendit. Ndryshe nga vendet e tjera afrikane, që vijojnë të presin ndihma nga jashtë, ne po bëjmë çmos që zhvillimi të jetë vepër e duarve tona”.







All the contents on this site are copyrighted ©.