2007-10-23 17:32:45

Nga Napoli udhëheqësit e feve bëjnë thirrje për paqe: Kisha do t’i përgjigjet Letrës së 138 burrave të urtë myslimanë.


(23.10.2007 RV)RealAudioMP3 Replikat e fundit në Napoli, në Mitingun e 21-të ndërfetar të paqes, organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit i cili, pas lutjes e procesionit, u mbyll me thirrjen për paqe 2007 nënshkruar nga të gjithë liderët fetarë. Që nga e diela e deri sot Napoli i ka ndjerë fort praninë e përfaqësuesve të kishave të krishtera, të hebraizmit, të islamit, të budizmit e të feve të tjera si dhe thirrjet e tyre të vazhdueshme për pajtim e dialog. Për paqe e dialog flet edhe kardinali Zhan Lyi Toran, kryetar i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar, në mikrofonin e Radios sonë:
Përgjigje: - Ky dialog është një rrugë e gjatë. Kemi gjithnjë nevojë ta njohim më shumë njëri-tjetrin. Dialogu është shtegtim, por edhe rrezik. Është shtegtim, sepse me të drejtë duhet kohë e gjatë për t’u njohur, për t’i kuptuar pasuritë e tjetrit; por është edhe rrezik, sepse të shtyn t’i bësh vetes pyetjen: “Kush është Zoti im, ai në të cilin besoj? A ndikon feja ime mbi jetën time? Më duhet, prandaj, të bëj një rrëmim të ndërgjegjes. Sa herë ndodhemi para ndonjë vështirësie të vogël, e kuptojmë menjëherë se nuk njihemi sa e si duhet. Prandaj kemi gjithnjë nevojë të dialogojmë, të flasim. Është një shqetsim që duhet çuar gjithnjë përpara.
Pyetje: - Hirësi, në Napoli është i pranishëm edhe ndonjë nga të 138 nënshkruesit islamikë të Letrës drejtuar Papës dhe liderëve të krishterë, përmes së cilës kërkohet më shumë dialog, më shumë bashkëpunim ndërmjet islamit e krishterimit. A do t’i jepet përgjigje kësaj Letre?
Përgjigje: - Sigurisht do t’i jepet përgjigje, sepse është sinjal pozitiv drejtuar të krishterëve. Siç pata rastin të them, ka edhe të reja. Për shembull, kur flitet për Jezusin, citohet Besëlidhja e Re e jo Kurani. Pastaj duhet theksuar se teksti nuk është polemik e ka shumë aspekte pozitive. Ndjehet fuqimisht vullneti i bashkëpunimit për paqe, përmes fesë. Teksti thekson se myslimanët e të krishterët, të marrë së bashku, përbëjnë 55% të popullsisë botërore e kjo është një fuqi e madhe, që mund të kontribuojë për paqen në botë. Duhet pranuar pasuria pozitive e këtij mesazhi!







All the contents on this site are copyrighted ©.