2007-10-22 17:15:27

Në vitin 2008 në Japoni do të shpallen të lum 188 martirë.


(22.10.2007 RV)Konferenca Ipeshkvnore e Japonisë njoftoi se kremtimi për lumnimin e 188 martirëve japonezë do të mbahet në Nagasaki më 24 nëntor 2008. Në këtë grup, që njihet me emrin “Atë Pietro Kibe Kasui S.J. e 187 shokët e tij”, bëjnë pjesë priftërinj, rregulltarë e laikë, të vrarë për fenë ndërmjet viteve 1603 e 1639. Jeta dhe vdekja e Atë Kibes tashmë është bërë e njohur në mbarë Japoninë edhe përmes një drame rrënqethëse, vepër e njërit nga shkrimtarët më të famshëm japonezë, Endo Shusaku.
Ndër të lumët e rinj spikasin edhe emrat e tre jezuitëve: etërve Julian Nakaura, Diogo Yuuki e vëllaut Nikolao Keian Fukunaga. Sipas statistikave, numri i katolikëve japonezë aktualisht është 452 mijë, 60% e të cilëve, gra. Ndërkaq në vend janë të pranishëm edhe 565 mijë katolikë të huaj. Vitin e kaluar morën pagëzimin shtatëmijë vetë, gjysma e të cilëve, në moshë të rritur. Deri në fund të vitit 2006, numri i meshtarëve në vend ishte 1. 500, ndërsa i rregulltareve, 6 mijë.







All the contents on this site are copyrighted ©.