(22.10.2007 RV)Imzot Frano Illia lindi në fshatin Juban, pranë Shkodrës më
21 shkurt 1918. U shugurua meshtar më 18 dhjetor 1943. Shërbeu në Tiranë, Shkodër,
Milot e rrethina. Më 1967 u arrestua, ndërsa më 25 prill 1968 u dënua me vdekje.
Datë e shënuar në jetën e tij 25 prilli, sepse pikërisht 25 vjet pas këtij dënimi,
shndërruar në burgim të përjetshëm, do të shugurohej ipeshkëv nga dora e vetë Papës
Gjon Pali II. U bë kështu, nga viti 1993 deri në 1997,i pari Kryeipeshkëv
Metropolit i pas-diktaturës në Qytetin e veriut, që kishte nxjerrë aq ipeshkvij të
mëdhenj. Fitoi edhe titullin Profesor për punën e tij të palodhur në mbledhjen dhe
kodifikimin e Kanunit të Skënderbeut, vepër që pa dritën e shtypit shumë vjet pasi
ishte përgatitur për botim. Po ai mbeti gjithnjë meshtari i thjeshtë, dom Franoja,
njeriu që ia kushtoi gjithë jetën elterit e kulturës kombëtare, Fesë e Atdheut. Kërkonte
me këmbëngulje nga katolikët shenjtni e kulturë. Shenjtnisë e kulturës i shërbeu gjithë
jetën, duke kryer me kujdesin më të madh detyrat e tij si meshtar i Krishtit e duke
mos e lëshuar kurrë penën nga dora. La kështu pas një vepër që vijon t'i shërbejë
kombit e popullit të vet. Sot, në dhjetëvjetorin e vdekjes së tij, kujtojmë se "Kanuni
i Skandërbegut" i Imzot Illisë mbetet një nga veprat më të pëlqyera nga lexuesit shqiptarë
e të huaj. Njeri i dialogut, i paqes dhe i harmonisë, ai la pas edhe shembullin
e punëtorit të palodhur të ekumenizmit, të meshtarit që bashkëpunoi gjithë jetën me
vëllezërit e besimeve të tjera, në emër të bashkimit kombëtar. Figura e tij na
kujton ipeshkvijtë e mëdhenj, ndërmjet të cilëve, Imzot Bumçin. Duke marrë pjesë në
Konferencën e Paqes në Paris, Prelati i madh foli aq me pasion për bashkimin e shqiptarëve,
sa tërhoqi vëmendjen e të gjithëve. Kur doli prej mbledhjes, iu afrua përfaqësuesi
serb i Pashiqit e i tha: "Si nuk ke marre ti, ipeshkëv katolik, me një pëllëmbë kryq
në gjoks, vjen e deklaron këtu para botës se jeni vëllezër me myslimanët, armiqtë
e fesë e të përparimit!?". Duke ecur në gjurmët e kësaj tradite, Imzot Franoja
jo vetëm që nuk pati marre të fliste për vëllazërí të sinqertë, por organizoi personalisht
mbrojtjen e ndërtesave të kultit, duke ftuar klerikët myslimanë të ruanin Kishat e
duke nisur meshtarët e vet në mbrojtje të xhamive të Shkodrës. Ishte një ngjarje e
paparë ndonjë herë në historinë e kombit kjo, që u regjistrua në analet e turbullirave
të 1997-tës. Jetoi me moton, që do të duhej ta bënte të vetën çdo besimtar katolik:
"Edhe me më premtue njëqind jetë, asnjenën nuk e due tue mohue fenë".Zërin e tij e
kemi regjistruar shumë herë, në raste festash e trazirash, gëzimesh e hidhërimesh.