2007-10-22 18:22:55

Humbin pushtetin vëllezërit Kaçinski në Poloni e lajme nga zgjedhje të tjera


(22.10.2007 RV)Sukses i liberalëve në zgjedhjet legjislative në Poloni. Donald Tusk fiton mëse 41% të votave. Kalon në opozitë kryeministri aktual Jarosllav Kaçinski, lider i partisë Ligji dhe Drejtësia, që ka fituar vetëm pak më shumë se 32% të konsensusit. Kaçinski e ka përgëzuar fitimtarin për fitoren, por ka premtuar edhe luftë të fortë politike. Ndërkaq, Bashkimi Evropian merr frymë i lehtësuar, duke shpresuar që me humbjen e Kaçinskit, Polonia do të dalë nga izolimi ku ishte futur për shkak të kundërshtimeve të disa politikave evropiane nga dy vëllezërit në pushtet.

Zgjedhje edhe në Slloveni, kësaj radhe presidenciale, të cilat kanë çuar në ballotazh kandidatin e djathtë, Lojze Peterle, aktualisht në pushtet dhe socialdemokratin Danilo Turk. Konfrontimi i ardhshëm do të zhvillohet më 11 nëntor.

Në Zvicër, zgjedhjet legjislative konsoliduan partinë e Bashkimit demokratik të qendrës, shprehje e së djathtës nacionaliste të ministrit të Drejtësisë, Kristof Bloher. Humbën rëndë socialistët, të cilët në krahasim me vitin 2003 kanë marrë 4% të votave më pak.

Zgjedhjet presidenciale libaneze, që duhej të zhvilloheshin nesër, janë shtyrë për në 12 nëntor. Sipas presidentit të parlamentit, Nabih Berri kjo është bërë për t’u dhënë më shumë kohë palëve që të gjejnë një kandidat konsensual.







All the contents on this site are copyrighted ©.