2007-10-22 18:22:17

Forcat ushtarake turke drejt Kurdistanit irakian


(22.10.2007 RV)Rrezikon të shkallëzohet më tej situata kritike në kufirin Turqi-Irak. Dje, rebelët e Partisë së Punës së Kurdistanit vranë së paku 17 ushtarë në një aksion në juglindje të Turqisë, duke humbur edhe ata vetë 30 persona. 8 ushtarë duket se janë marrë peng nga guerrilasit.
Sot mijëra vetë kanë protestuar në Ankara kundër dhunës së ushtruar nga kurdët në jug të vendit. Edhe vetë kryeministri turk, Erdogan deklaroi se durimi është sosur dhe se vendi ka të drejtë të mbrohet. Deri tani, Turqia nuk ka ndërhyrë në Kurdistanin irakian, vetëm sepse kjo i është kërkuar nga amerikanët, por Erdogan saktësoi se nëse irakianët dhe SHBA do të arrijnë të ndalin rebelët kurdë dhe të mbyllin kampet e tyre të stërvitjes, atëherë Ankaraja nuk do të ndërhyjë, përndryshe “e drejta ndërkombëtare – sqaroi kryeministri – na njeh disa prerogativa e për t’i ushtruar nuk duhet të presim lejen e askujt”.
Ndërkaq, ministri i jashtëm turk, Ali Babaxhan do të shkojë nesër në Bagdad për bisedime me autoritetet e Irakut.







All the contents on this site are copyrighted ©.