2007-10-21 17:55:48

“Të gjitha Kishat, për të gjithë botën” është parulla e Ditës së sotme Misionare Botërore.


(21.10.2007 RV) Dokumenti, nënshkruar nga Papa më 27 maj, në ditën e Rrëshajëve, thekson urgjencën për një hov të ri në veprimtarinë misionare, detyrë nga cila Kisha nuk mund të heqë dorë.
Prandaj në Mesazhin papnor nënvizohet edhe se Kishat e botës së tretë duhet të jenë të gatshme për të dërguar misionarë atje ku ka nevojë, dmth edhe në vendet e misionarëve që ua patën predikuar së pari Ungjillin.
Benedikti XVI kujton se Bariu i Mirë, Krishti, i fton edhe Kishat e ungjillëzuara vonë t’i kushtohen bujarisht misionit ‘ad gentes’(ndërmjet popujve). Ndonëse u duhet të kapërcejnë vështirësi dhe penegesa jo të pakta – thekson Papa Racinger – këto bashkësi janë në rritje të vazhdueshme. Në disa prej tyre ka një numër të madh meshtarësh e rregulltarësh, shumë prej të cilëve, duke mos pasur nevoja të ngutshme në vend, dërgohen për të kryer shërbimin e tyre baritor e apostolik gjetiu, edhe në vende ku ungjillëzimi arriti që në kohët e para të krishterimit.
Vërehet në këtë mënyrë një shkëmbim dhuratash, që i shërben mbarë Korpit mistik të Krishtit - shpjegon Benedikti XVI, dhe në përfundim uron që bashkëpunimi misionar të thellohet më tej, duke vlerësuar mundësitë dhe karizmat e secilit.
Në mesazh, Papa vlerëson lart aradhet e meshtarëve që duke lënë bashkësitë e veta, shkrinë të gjitha energjitë e tyre në bashkësi të sapolindura, duke mos kursyer as jetën në veprimtarinë misionare për përhapjen e Ungjillit deri në kufijtë më të skajshëm të tokës.
Muaji tetor – kujtoi Ati i Shenjtë në lutjen e Engjëllit të Tënzot të 8 tetorit të kaluar – na ndihmon ta kujtojmë këtë të vërtetë themelore, ta mbajmë gjallë në çdo bashkësi frymën misionare dhe të mbështesim punën e priftërinjve, të rregulltarëve, rregulltareve e laikëve si dhe të gjithë atyre që ndodhen në radhët e para të frontit të misionit të Kishës.
Kumtimi i Ungjillit mbetet shërbimi i parë që Kisha duhet t’i bëjë njerëzimit, për t’i propozuar shëlbimin e Krishtit njeriut të kohës sonë, të poshtëruar e të shtypur në shumë forma e për t’i orientuar në drejtimin e krishterë shndërrimet kulturore, shoqërore dhe etike, që vijojnë në botë.Impenjimi misionar – vijon të pohojë Benedikti XVI – do të ketë një shtytje të re këtë vit, kur përkujtohet 50-vjetori i enciklikës së papës Piu XII ‘Fidei Donum’. Është enciklika që nxiti dhe inkurajoi bashkëpunimin ndërmjet Kishave për misionin në gjirin e të gjithë popujve.







All the contents on this site are copyrighted ©.