2007-10-21 17:56:19

U liruan dy meshtarët siro-katolikë të rrëmbyer në Irak


(21.10.2007 RV)Sikur lutja e Papës në Napoli për misionarët të ishte dëgjuar, një lajm i mirë vjen nga Iraku. U liruan sot paradite dy meshtarët katolikë të rrëmbyer gjatë ditëve të kaluara në Mosul. Atë Mazen Ishoa dhe atë Pius Afas duket se janë mirë, duke pasur parasysh se ç’kanë hequr gjatë kësaj periudhe.
Katolikët e Mosulit flasin për mrekulli, pasi të premten e dje nuk kishin mundur të kontaktonin rrëmbyesit, të cilët nuk përgjigjeshin në numrat e zakonshëm të telefonit. Të dy rregulltarët u sekuestruan më 13 tetor pranë Mosulit, ndërsa po shkonin për vizitë në një familje në zi. Atë Pius Afas, 60 vjeç, është profesor i Biblës në seminarin lokal. Ka drejtuar për një kohë të gjatë edhe revistën “Mendimi i krishterë” në gjuhën arabe. Atë Mazen Ishoa, 35 vjeç, është shuguruar meshtar vetëm para pak muajsh. Rrëmbyesit patën kërkuar një shumë prej një milion dollarësh, gjë që e pati bërë kishën të mendojë se ata ishin keqbërës të zakonshëm dhe jo anëtarë të ndonjë grupi fondamentalist.








All the contents on this site are copyrighted ©.