2007-10-21 17:56:52

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar


(21.10.2007 RV)Sot, e diela XXIX e kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar, u përkujtua edhe Shën Gaspri i Bufalos, meshtar, themelues i Misionarëve të Gjakut të Paçmueshëm të Jezu Krishtit.
hënën do të kremtohen Shën Donati dhe Shën Marku, ipeshkëv i Jeruzalemit. Liturgjia e kremtimit të tyre na kujton të pasurin, që vret mendjen për të siguruar pasuritë e grumbulluara, të cilat nuk do t’i gëzojë kurrë, sepse tashmë në portën e tij ka trokitur vdekja. Kjo shembëlltyrë e Jezusit është më aktuale se kurrë, sepse dënon rendjen e sëmurë pas suksesit e pas pasurisë, që çorodit rëndë ndërgjegjën e shumë njerëzve në botën e sotme.
Liturgjia e së martes na kujton se për të krishterin përmasa e pritjes është themelore. E pritja nuk është kurrë e gjatë për atë që ka kuptuar rëndësinë e takimit me Zotin. Është festa e Shën Gjonit nga Kapestrani, meshtar françeskan, pajtor i kapelanëve ushtarakë dhe e Shën Severino Boecios, filozof romak e martir.
Në festën e Shën Antonio Maria Klaret, ipeshkëv, themelues i Kongregatës së Bijëve të Zemrës së Zojës e të Shën Pjetër Kasanit, meshtar skolop, që Kisha do t’i kremtojë të mërkurën, liturgjia na kujton se njerëzit që kanë përgjegjësi në Kishë duhet të jenë dyfish të vëmendshëm ndaj besimtarëve që u janë lënë nën kujdes: Zoti do t’u kërkojë llogari për secilin prej tyre.
Shën Krisanthi e Daria, martire; Shën Krispini e Krispiniani, martirë, që do të kremtohen të enjten, na kujtojnë sa bukur do të ishte sikur zjarri që Jezusi ka ardhur ta sjellë mbi tokë, të ndizej së pari në bashkësitë tona të krishtera, ta shkundte përgjumjen tonë e të na bënte më shumë misionarë.
Ta vlerësosh kohën, për të kuptuar ç’të kërkon Zoti: kjo tregon pjekurinë e vërtetë fetare të të krishterit. Na e kujton këtë edhe Shën Dhimitri (Shën Mitri), martir, që do të kremtohet të premten e ardhshme.
Zoti kalon e rikalon për të parë në se jeta jonë sjell fryte të së mirës. Sa shpesh gjen vetëm gjethe, pa asnjë fryt. Ta bëjmë, prandaj, tonën thirrjen për pendesë të Shenjtorëve Evaristi papë e Frumenci, apostull i Etiopisë, që do të përkujtohen të shtunën e ardhshme, duke bashkëpunuar, si ata, me hirin hyjnor. Të dielën XXX do të përkujtohen edhe Shenjtorët Simeoni e Juda, apostuj.







All the contents on this site are copyrighted ©.