2007-10-19 17:13:00

Solidariteti, mbrojtja e jetës dhe drama e pasigurisë: temat e mesazhit të Papës për Javën Shoqërore të katolikëve italianë.


(19.10.2007 RV)RealAudioMP3 Në mesazhin me rastin e Javës së 45-të Shoqërore të katolikëve italianë, hapur dje në Pistoia në kuadrin e njëqindvjetorit të nismës, Papa u drejton një thirrje të fuqishme të gjithë laikëve katolikë, që të impenjohen me bujari e guxim në përpjekjen për ndërtimin e një shoqërie të drejtë e solidare. Duke pasur parasysh se diskutohet për të mirën e përbashkët, Benedikti XVI thekson emergjencat e kohëve tona: kujdesin për jetën e familjen, mbrojtjen e punës dhe dramën e pasigurisë së jetës.
Papa nënvizon rreziqet që lindin nga përdorimi i papërcaktuar e nganjëherë edhe i papërshtatshëm i termit ‘pasuria e përbashkët’ e cila – shpjegon Papa – nuk është thjeshtë shumë e pasurive të veçanta, por pasuri e të gjithëve dhe e secilit, ndërsa mbetet e përbashkët, sepse e pandashme e sepse vetëm kështu mund t’u përkasë të gjithëve. Ashtu si në të kaluarën, edhe sot, në kohën e globalizimit, pasuria e përbashkët duhet pasur mirë parasysh e duhet promovuar edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, me vetëdijen se pasuria e çdo njeriu lidhet ngushtë me pasurinë e mbarë njerëzimit.
E në këtë kontekst, ka rëndësi të veçantë kërkimi i unitetit reciprok, duke nisur nga krijimi i kushteve për ta gëzuar së bashku vlerën e paqes, që i ka rrënjët në Krishtin e që siguron shërimin e plagëve të kujtesës.Tepër aktuale për mendësinë e shqiptarëve, fjalët e Papës, duke pasur parasysh këndvështrimin mbi pasurinë e përbashkët, shpërdorimin e saj e lidhjen e këtij shpërdorimi me plagët që ka lënë në kujtesën e njerëzve një regjim i cili e përdori pasurinë e përbashkët si pasuri personale.







All the contents on this site are copyrighted ©.