Benedikti XVI presidentit të Tanzanisë, Kikvete: të krishterët e myslimanët të bashkëpunojnë
për paqen në Afrikë.
(19.10.2007 RV)Situata delikate në zonën afrikane të Liqeneve të Mëdha, impenjimi
i Kishës për zhvillimin shoqëror dhe bashkëjetesa ndërmjet feve të ndryshme, posaçërisht
ndërmjet të krishterëve e myslimanëve, ishin temat kryesore rreth të cilave u shkëmbyen
mendime sot paradite, në takimin e Benediktit XVI me presidentin e Tanzanisë, Jakaja
Mrisho Kikvete, i cili u prit në Vatikan.Më pas kreu i shtetit afrikan u takua edhe
me sekretarin e Shtetit të Shenjtërisë së Tij, kardinalin Tarçizio Bertone. Gjatë
bisedimeve – saktëson një komunikatë e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë - pasi
u kujtua roli që luan prej vitesh Tanzania për paqëtimin e zonës së Liqeneve të Mëdha,
u fol kryesisht për marrëdhëniet ndërmjet Kishës e shtetit dhe për kontributin e katolikëve
në progresin e popullit tanzanian, posaçërisht në fushën e edukimit, të shëndetësisë
e të veprave të bamirësisë. U theksua edhe nevoja e bashkëjetesës ndërmjet besimtarëve
të feve të ndryshme, posaçërisht ndërmjet katolikëve e myslimanëve. Nga ana e Selisë
së Shenjtë – përfundon komunikata – u ripohua impenjimi i Kishës katolike dhe i institucioneve
të saj për zhvillimin e gjithanshëm e të harmonishëm të mbarë popullit tanzanian.