2007-10-19 17:14:19

4-vjetori i lumnimit të Nënë Terezës: Festë kombëtare e mbarë shqiptarëve


(19.10.2007 RV)Simbolik kalendari i sotëm historiko-kishtar: na kujton në të njëjtën ditë, veprimtarinë misionare të së Lumes Nënë Terezë e të jezuitëve, etër të saj shpirtëror, nëpër botë: nga Kanadaja e largët, në Shqipëri; nga vitet 1600, në shekullin e kaluar. Sot kalendari kishtar përkujton 4-vjetorin e lartimit në nderimet e elterit të së Lumes Nënë Terezë, misionares së madhe të Indisë e të mbarë botës, Atë Gjon Faustin, martirizuar nga diktatura komuniste në në trojet shqiptare e jezuitët kanadezë, martirizuar në një kohë të largët, nga popuj të paqytetëruar, në Kanadanë e virgjër, ku nuk kishte arritur akoma Ungjilli i Krishtit. E ky përkujtim – në prag të Ditës Botërore Misionare, që do të kremtohet të dielën e ardhshme.
19 tetor 2003 – 19 tetor 2006: kaluan katër vjet nga dita e lumnimit të Nënë Terezës, Bijës më të madhe të popullit shqiptar, që na la trashigim këtë autoportret:
"Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit". M’u besua misioni të kumtoj dashurinë e etur të Jezusit për njerëzimin, veçanërisht për më të varfërit ndër të varfër, mesazhin se "Hyji vijon ta dojë botën dhe na dërgon ty e mua për t'u shprehur të varfërve dashurinë dhe mëshirën e Tij". Në shpirtin tim, përplot me dritën e Krishtit e me dashuri të zjarrtë për Të, kishte një dëshirë të vetme : "Të shuaja etjen e dashurisë së Tij për shpirtrat njerëzore".
Nuk na çuditë, prandaj, fakti se, për shkak të përhapjes së famës së shenjtërisë dhe hireve të nxjerra me ndërmjetësinë e Nënë Terezës, Papa Gjon Pali II lejoi të hapej çështja e kanonizimit pa u mbushur ende dy vjet pas vdekjes së Rregulltares shqiptare. Më 20 dhjetor 2002 miratoi dekretin mbi virtytet heroike dhe mrekullitë e bëra me ndërmjetësinë e saj, ndërsa më 19 tetor 2003, katër vjet më pare, nga Sheshi i Shën Pjetrit përplot me shqiptarë të ardhur nga të katër anët e botës, shqiptoi formulën që e lartonte Nënën e Madhe të të varfërve të mbarë botës në nderimet e eletrit:
FORMULA E LUMNIMIT - shqiptuar nga Papa Gjon Pali II:
Ne, duke përmbushur dëshirën e Vëllaut tonë Lukas Sirkar, Kryeipeshkëv i Kalkutës, si dhe të shumë vëllezërve të tjerë në Episkopat e edhe të shumë besimtarëve, pasi kemi marrë mendimin e Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, me Autoritetin Tonë Apostolik pranojmë që Shërbëtorja e nderuar e Hyjit, Tereza e Kalkutës, tani e tutje të quhet "E Lume" e që festa e saj të kremtohet në vendet e sipas regullave të caktuara nga e drejta kanonike, çdo vit, në ditën e lindjes së saj për qiell, më 5 shtator.
Sot, pra, nuk është festa liturgjike e së Lumes Nënë Terezë, por Festa Kombëtare e Saj, sepse kjo ditë, me të drejtë, u shpall festa e të gjithë shqiptarëve, për të cilët Nënë Tereza tani ndërmjetëson nga qielli.
Në përfundim të këtij përkujtimi, bëjmë tonat fjalët e Papës Vojtila për të Lumen Nënë Terezë, shqiptuar në homelinë e Meshës së Lumnimit të saj:
“Ta lavdërojmë këtë grua të vogël, të dashuruar me Zotin, këtë lajmëtare të përvuajtur të Ungjillit e bamirëse të palodhur e njerëzimit. Nderojmë në të një nga personalitetet më të rëndësishme të epokës sonë. Ta pranojmë mesazhin ta ndjekim shembullin e së Lumes.
E nga Nënë Tereza kalojmë tek Atë Gjon Fausti S.J.: emrin e Atë Faustit tani mund ta lexojmë në kalendarin e Kishës universale. Njihet si martir i Kishës katolike gjatë persekutimit fetar në Shqipërinë komuniste; konsiderohet si pararendës i dialogut islamiko –kristian e si dëshmitar i dashurisë së krishterë e i fesë në kohët tona.
Janë vetëm disa nga titujt që i njihen nga bibliografia tejet e pasur, e cila flet për jetën dhe veprimtarinë misionare të jezuitit martir, lindur në Broco, pranë Breshias (Itali) më 19 tetor 1899 e pushkatuar më 4 mars 1946 në Shkodër (Shqipëri) te Zalli i Kirit, pas mureve të varrezës së Rrëmajit, ku jehoi e jehon ende brohoritja e tij dhe e martirëve të tjerë shqiptarë, që i ranë përkrah: “Rrnoftë Krishti Mbret! Rrnoftë Shqipëria”
Me sjelljen e me guximin e tij, Atë Fausti u dëshmoi si të krishetrëve, ashtu edhe myslimanëve të Shqipërisë, se ata që besojnë në Zotin e në jetën e pasosur, nuk janë skllevër të kënaqësive të kësaj bote, skllevër të etjes për pushtet, për sukses, për pasuri, por janë në gjendje ta përballojnë me qetësi e guxim vdekjen për t’i qëndruar besnikë një ideali të vetëm, të pavdekshëm, atij të Ungjillit.
Duke u larguar në hapësirë e kohë, kujtojmë se kur, pas traktatit të Shën Zhermenit, Kanadaja iu rikthye Francës, më se treqind misionarë jezuitë u nisën, që nga viti 1611 deri në vitin 1760 për në Kanada, që të përhapnin në këto troje fjalën e Krishtit. Tridhjetë e gjashë u mbytën. Ndërmjet tyre, tetë u shpallën të lum e më pas, më 29 qershor 1931, edhe shenjtorë. Ndonëse e kryen veprimtarinë e tyre misionare në kohë e vende të ndryshme, të gjithë, pa përjashtim, në zonën ndërmjet Liqenit të Ontarios, Ujëvarave të Niagarës dhe liqeneve të Eriè de Uron, e përballuan martirizimin me të njëjtin guxim, ashtu si me guxim përballuan edhe veprimtarinë tepër të vështirë misionare në një vend të virgjër e të paqytetëruar. E kjo i afroi, përtej hapësirës e kohës, duke i lartuar së bashku në qiellin e shenjtorëve e duke i shndërruar, në kujtimin e në lutjen e besimtarëve, në simbole të të gjithë veprimtarisë misionare të kryer për ungjillëzimin e ‘Botës së re’. Martirët kanadezë janë etërit jezuitë, Shenjtorët Gjoni de Brebëf, Gabriel Lalemant, Isak Joges, Renato Gupil, Gjon de la Landre, Antonio Daniel, Natale Shabanel dhe Karlo Garneir. Janë pajtorë të Kanadasë e të SHBA.







All the contents on this site are copyrighted ©.