2007-10-18 18:18:47

Të drejtat e njeriut dhe liria fetare: temat e fjalimeve të imzot Frontieros në OSBE.


(18.10.2007 RV)Lidhja e ngushtë ndërmjet dinjitetit të njeriut, të drejtave njerëzore dhe lirisë fetare ishte në qëndër të vëmendjes në fjalimet e imzot Entoni Frontieros, anëtar i Këshillit Papnor të Drejtësisë e Paqes, në takimin e OSBE-së, që u mbajt nga 24 shtatori deri më 5 tetor në Varshavë, për të shqyrtuar realizimin e impenjimeve të marra nga shtetet anëtare në fushën e të drejtave të njeriut.Tolerancë e jo diskriminim - janë fjalët kyçe për zgjidhjen e një sërë problemesh që kanë të bëjnë me politikën e me sigurinë e që lindin nga ndërveprimi i kulturave dhe i popujve. Këtë theksoi përfaqësuesi i Vatikanit, duke shprehur kënaqësinë që këto probleme janë në qendër të vëmendjes së Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë. Prelati u ndal edhe tek përdorimi i mjeteve të reja, siç është krijimi i një kanali të ri të internetit nga ana e Zyrës së OSBE-së për institucionet demokratike dhe të drejtat e njeriut, për të monitoruar në mënyrë të veçantë rastet e diskriminimit të të krishterëve. Imzot Frontiero vuri në dukje se me gjithë vendimet e marra nga anëtarët e Organizatës, realizimi i objektivave të lirisë fetare dhe të mospranimit të diskriminimit nuk është i kënaqshëm në të gjitha vendet. Vërehen akoma raste vrasjesh brutale, dënimesh me burgim të rëndë, me akuzën e veprimtarive fetare ilegale, ose raste kufizimesh të lirisë fetare, që i pengojnë seriozisht misionarët të kryejnë veprimtaritë e tyre. E imzot Frontiero nuk u ndal vetëm tek pasojat, por analizoi edhe shkaqet këtyre dukurive negative. Ndërmjet shkaqeve, kujtoi tensionet që mbeten pas konflikteve ndërmjet idelogjive e sidomos, mohimin e natyrës së veçantë të njeriut nga ana e shoqërive moderne, gjë që i largon njerëzit nga dialogu i vërtetë dhe i hap rrugën shtypjes e dhunës. Respektimi i njeriut, i të drejtave të tij e i dinjitetit të tij të padiskutueshëm është kushti i vetëm për të mos lejuar krijimin e idesë se njëri meriton respekt në të gjitha drejtimet e të tjerët jo – nënvizoi prelati e, duke cituar fjalët e Papës Benedikti XVI, kujtoi se liria fetare është themelore, e pashkelshme, e patjetërsueshme, e padhunueshme”. Prandaj përfshin, në mënyrë të natyrshme, edhe të drejtën e ndërrimit të fesë, në përpjekjen e pafundme njerëzore për njohjen e së vërtetës e të vlerave të mbinatyrshme. Përfaqësuesi i Vatikanit i ftoi të gjithë të reflektojnë mbi faktin se fetë e botës, duke përfshirë edhe krishterimin, promovojnë paqen e drejtësinë si përmasa themelore të misionit të tyre fetar. E kjo provon se në horizont nuk mungon prova e solidaritetit universal.







All the contents on this site are copyrighted ©.