2007-10-18 18:17:56

Takim i përzemërt i Papës me presidenten e Kilit, Mishelë Bashelè.


(18.10.2007 RV)RealAudioMP3 Takimi i Papës me zonjën Bashele, që zgjati rreth 40 minuta, u zhvillua sot në një atmosferë të ngrohtë miqësore. Më pas presidentja kiliane u takua edhe me sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Tarçizio Bertone, i cili shoqërohej nga imzot Dominik Mambertì, sekretar për marrëdhëniet me shtetet.
Bisedimet e përzemërta – saktëson një komunikatë e Sallës së Shtypit të Vatikanit – krijuan kushtet për shkëmbimin e informacioneve mbi situatën shoqëroro–politike të vendit dhe mbi rolin e tij në Amerikën Latine. U prekën tema me interes të përbashkët, si jeta e njeriut e familja, edukimi, të drejtat e njeriut, drejtësia e paqja dhe tema të tjera që zënë vendin e parë në aktualitetin ndërkombëtar. U ripohua - shkruhet në përfundim të Komunikatës – kontributi pozitiv i Kishës në shoqërinë kiliane, posaçërisht në fushën shoqërore dhe edukative.
Zonja Bashele, socialiste, 56 vjeçe, është gruaja e parë kiliane që i shërben kombit të saj në një detyrë kaq të lartë. Gjatë regjimit të Pinoçesë, u arrestua dhe u torturua së bashku me t’ ëmën e t’anë, të cilët vdiqën nga torturat në burgjet e Santiagos të Kilit. Presidentja Bashele, e diplomuar në mjekësi dhe e specializuar në pediatri, pas një periudhe mërgimi, u rikthye në Kili ku, me rivendosjen e regjimit demokratik, u emërua ministre e shëndetësisë dhe e mbrojtjes. Presidente u zgjodh më 15 janarin e kaluar.Në përfundim të takimit, zonja Bashele shprehu kënaqësinë e saj për audiencën tek Papa, duke uruar që Kisha e qeveria kiliane të vijojnë bashkëpunimin për të mirën e popullit të Kilit. Por ta dëgjojmë vetë presidenten Bashele, në mikrofonin e Radios sonë:

“Për mua është një privilegj i madh vizita e sotme, audienca tek Papa, si presidente e Kilit dhe mundësia për t’i treguar ç’duam të bëjmë e ç’jemi duke bërë. Falënderoj Kishën katolike për ndihmën që i ka dhënë vendit tim në çaste të vështira, të rënda, por edhe në epokën e demokracisë. Folëm shumë e prekëm në thellësi temat e rëndësishme për Kishën e për qeverinë time. U ndalëm tek dëshira për ta zhvilluar vendin, për ta bërë modern, por duke mbrojtur familjet, duke krijuar kushte që fëmijët të mos mbeten me një prind të vetëm, e posaçërisht, të mos braktisen, gjë që i shtyn pastaj në rrugën e drogës e të dhunës. Në këto fusha shpresoj vërtetë se do të mund të bashkëpunojmë ngushtë me Kishën për ndërtimin e një vendi më të zhvilluar ekonomikisht, por edhe më njerëzor e më të pasur me vlera.







All the contents on this site are copyrighted ©.