Më 18 tetor kalendari Kishtar përkujton Shën Lukën Ungjilltar.
(18.10.2007 RVLuka Ungjilltar,
që është edhe autor i “Veprave të Apostujve”, i vetmi nga të katër ungjilltarët që
nuk ishte hebre, njihet si shkrimtar i butësisë së Krishtit. Ndoshta vinte nga Antiokia
e Sirisë, ku kishte marrë kulturë klasike dhe kishte studiuar për mjekësi. Ish-pagan,
u kthye në fenë e krishterë nën udhëheqjen e Shën Palit, i cili e quan “Mjek i dashur,
shok i shtegtimeve misionare, ngushëllues i burgimeve, kur të gjithë e kishin braktisur”.
Ungjilltari nuk e njohu Jezusin. U bazua kryesisht në rrëfimet e dëshmitarëve
të drejtpëdrejtë, ndërmjet të cilëve ka shumë mundësi të kenë qenë disa nga gratë
që iu përgjigjen të parat lajmit të mirë, e në radhë të parë, Maria, Nëna e Krishtit.
Luka ndjek me vëmendje fjalët, gjestet, heshtjen e saj. Ungjillin e shkroi për
paganët e kthyer në kristianizëm, duke theksuar universalitetin e shëlbimit dhe dashurinë
e posaçme të Jezusit për të varfërit e duke dhënë edhe dëshmi origjinale për fëmijërinë
e Krishtit. Në Ungjillin e Shën Lukës spikasin shembëlltyrat që tregojnë ndjeshmërinë
e Zotit për të sëmurët e njerëzit që vuajnë, ndërsa në “Veprat e Apostujve” përshkruan
figurën ideale të Kishës, që nuk heq kurrë dorë nga mësimet e apostujve. Apostulli-mjek
e quan Krishtin ‘mjek universal’, që shëron të gjitha vuajtjet e njerëzimit, Zot të
gjithëpushtetshëm, plot butësi e mëshirë. Sipas gojëdhënave, Luka duhet të ketë qenë
edhe piktor e posaçërisht, autor i shumë portreteve të Zojës së Bekuar. Gjithnjë sipas
gojëdhënave, thuhet se pas vdekjes së Palit, predikoi në vende ndryshme, jashtë Romës.
Në të vërtetë nuk dihet asgjë e saktë për të, pas fjalëve ‘Vetëm Luka është me mua’
që Shën Pali ia shkroi Timoteut nga burgu. Por Ungjilli i tij vijon të kumtohet,
së bashku me atë të Mateut, të Markut e të Gjonit në mbarë botën. E me të edhe ‘Veprat
e Apostujve’. Në liturgjinë e Fjalës, gjatë Meshës shenjte që kremtohet thuajse në
të gjitha gjuhët e botës, Luka vijon të predikojë edhe në ditët tona…