Benedikti XVI do të emërojë 23 kardinaj të rinj në Konçistorin e 24 nëntorit: njoftimi
u dha në audiencën e përgjithshme kushtuar Shën Euzebit.
(17.10.2007 RV)Dëshmia e Shën Euzebit
të Verçelit, ipeshkvit të parë të Italisë veriore dhe thirrja kundër mjerimit në botë,
ishin në qendër të vëmendjes në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin
e Shën Pjetrit në Vatikan. Por Papa i njoftoi besimtarët edhe për mbledhjen e Konçistorit,
të cilit do t’i shtohen 23 kardinaj të rinj, 18 me të drejtë zgjedhore. Kardinajtë
e rinj, që do të krijohen në Konçistorin e 24 nëntorit të ardhshëm, janë: Imzot
Leonardo Sandri, prefekt i Kongregatës për Kishat Lindore; Imzot Gjon
Patrik Folei, pro-Mjeshtër i Madh i Urdhërit të Kalorësve të Varrit të Shenjtë
të Jeruzalemit; Imzot Gjovani Lajolo, kryetar i Komisionit Papnor dhe i
Governatoratit të Qytet-Shtetit të Vatikanit; Imzot Paul Jozef Kordes, kryetar
i Këshillit Papnor Cor Unum; Imzot Angjelo Komastri, kryeprift i Bazilikës
së Vatikanit, vikar i përgjithshëm për Qytet-Shtetin e Vatikanit dhe drejtor i Fabrikës
së Shën Pjetrit; Imzot Stanislao Rilko, kryetar i Këshillit Papnor për Laikët; Imzot
Rafaele Farina, arkivist e bibliotekar i Kishës Shenjte Romake; Imzot Agustin
García- Gasko Viçente, kryeipeshkëv i Valencies (Spanjë); Imzot Shon Batist
Bredi, kryeipeshkëv i Armagh (Irlandë); Imzot Luis Martinez Sistah,
kryeipeshkëv i Barcelonës (Spanjë); Imzot André Vënt-Trua, kryeipeshkëv
i Parisit (Francë); Imzot Angjelo Banjasko, kryeipeshkëv i Gjenovës (Itali); Imzot
Teodor-Adrien Sarr, kryeipeshkëv i Dakarit (Senegal); Imzot Osvald Gracias,
kryeipeshkëv i Bombeit (Indi); Imzot Francisko Robles Ortega, kryeipeshkëv
i Monterreit (Meksiko); Imzot Daniel N. DiNardo, kryeipeshkëv i Galveston-
Hjuston (SHBA); Imzot Odilio Pedro Sherer, kryeipeshkëv i Sao Paulos (Brazil); Imzot
Gjon Njue, kryeipeshkëv i Nairobit (Kenia). Janë, pastaj, edhe tre prelatë
e dy kishtarë të mirënjohur për impenjimin e tyre në shërbim të Kishës: Fortlumturia
e Tij Emanueli III Deli, patrik i Babilonisë së kaldejve; imzot Gjovani
Kopa, nunc apostolik; imzot Estanislao Esteban Karliç, kryeipeshkëv nderi
i Paranà (Argjentinë); Atë Urbano Navarretë, jezuit, ish-rektor i Universitetit
Papnor Gregorian; Atë Umberto Beti i Fretërve të vegjël, ish-rektor i Universitetit
Papnor Lateranens. Më pas Papa njoftoi se në listën e kardinajve pa të drejtë
zgjedhore, figuronte edhe ipeshkvi i moshuar polak Injaci Jez, që vdiq dje papritmas. Kështu
Konçistori i ri do të ketë vetëm një kardinal më pak se numri i caktuar nga Papa Pali
VI e i konfirmuar nga Gjon Pali II. Benedikti XVI nënvizoi se në të do të mund të
bënin pjesë edhe shumë të tjerë e se shpreson që në të ardhmen do të ketë mundësi
t’ua dëshmojë edhe në këtë mënyrë, atyre e vendeve të cilave u përkasin, nderimin
e dashurinë që ka për ta. E për shërbimin dhe besnikërinë ndaj Kishës, Papa foli
edhe në katekizmin e audiencës. “Të shpëtosh shkallën e drejtë të vlerave, pa u përkulur
kurrë para modave të çastit e preteksteve të padrejta të sundimtarëve”: me këtë porosi
Papa sintetizoi sot një nga mësimet e ipeshkvit të Verçelit, figurë e ndritur e shekullit
IV. Kur perandori mbështeti herezinë ariane, Euzebi u detyrua të merrte udhën e hidhur
të internimit, thjeshtë sepse nuk pranoi të mohonte fenë e vet, nuk pranoi të mohonte
natyrën plotësisht hyjnore të Jezusit, përcaktuar nga Koncili i Nikesë: e ky është
një nga elementet kryesore të shenjtërisë së tij, të cilën Papa ia kujtoi sot besimtarëve.
Një element tjetër është themelimi nga ana e tij e një bashkësie meshtarake sipas
modelit monastik. E kjo do të thotë – shpjegoi Benedikti XVI – se ai pati ndjekur
e u pati kërkuar edhe ipeshkvijve të ndiqnin rregullat e jetës monastike, ndonëse
jetonin në zemër të qyteteve; u pati kërkuar edhe të merrnin pjesë në zgjidhjen e
problemeve të bashkëqytetarëve, por duke pasur në zemër një qytetari tjetër, të ndryshme,
atë të Qiellit”: “Shkalla e vërtetë e vlerave – duket sikur na thotë e gjithë
jeta e Euzebit, nuk vjen nga perandorët e djeshëm e as të sotëm, por vjen nga Jezu
Krishti”. E kështu – shtoi Benedikti XVI – Shën Euzebi, që ishte shumë i lidhur
me qytetin e tij, në të cilin nuk banonte vetëm popullsi e krishterë, por edhe njerëz
që nuk e ndiqnin Kishën, arriti të bëhet prijës shpirtëror i të gjithëve. Gjatë
përshëndetjeve në shumë gjuhë, Papa kujtoi 20-vjetorin e Ditës për mospranimin e mjerimit,
që njihet nga Kombet e Bashkuara si Dita ndërkombëtare për zhdukjen e varfërisë, duke
bërë thirrje që të shumfishohen përpjekjet për zhdukjen e shkaqeve të varfërisë dhe
të pasojave tragjike që rrjedhin prej tyre: “Kushtet në të cilat jeton një numër
i madh personash janë të tilla, sa të fyejnë dinjitetin e njeriut e, si pasojë, të
vënë në rrezik progresin e vërtetë e të harmonishëm të bashkësisë botërore”. Pabarazia
ndërmjet të pasurve e të varfërve është bërë tepër e dukshme e shqetësuese edhe brënda
kombeve ekonomikisht më të zhvilluara – nënvizoi në përfundim Benedikti XVI, duke
folur për situatën e rëndë, që duhet ta shqetësojë seriozisht ndërgjegjën e mbarë
njerëzimit.