2007-10-16 17:52:17

Shqetësim për fatin e dy meshtarëve të rrëmbyer në Irak e lajme të tjera


(16.10.2007 RV)Akoma shqetësim për fatin e dy meshtarëve siro-katolikë të rrëmbyer të shtunën e kaluar në Mosul, në veri të Irakut. Sot paradite, rrëmbyesit kanë kontaktuar krerët e kishës në Mosul dhe u kanë pohuar se Atë Pius Afas dhe Atë Mazen Ishoa janë në gjendje të mirë shëndetësore. Është kërkuar pagimi i një shume të hollash.

Presidenti amerikan, Xhorxh Bush takohet sot në Shtëpinë e Bardhë me liderin shpirtëror të Tibetit, Dalai Lama. Nesër, Dalai Lama do të nderohet me medaljen e artë të Kongresit amerikan. Kjo ka shkaktuar probleme në Pekin, nga ku zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme ka paralajmëruar presidentin Bush, se takimi i tij me Dalai Lamën do të dëmtojë marrëdhëniet mes dy vendeve.


Sekretarja amerikane e shtetit, Kondolica Rajs, në vazhdën e vizitës në Lindjen e Mesme, qëndron sot në Egjipt, ku takohet me presidentin egjiptian, Hosni Mubarak. Rajs është shprehur dje se krijimi i një shteti palestinez është tashmë përparësia numër “një” e administratës amerikane. Sekretarja e shtetit ndodhet në Lindjen e Mesme për të përgatitur konferencën ndërkombëtare ku do të shtrohen për zgjidhje problemet e zonës, por as palestinezët dhe as izraelitët nuk e kanë akoma të qartë se me çfarë programi do të paraqiten në të.


Para kërcënimeve të Turqisë për një ndërhyrje në pjesën kurde të Irakut, kundër rebelëve të Partisë së Punës së Kurdistanit që kryejnë atentate në zonën e Antalisë, qeveria e Bagdadit ka kërkuar bisedime urgjente me Ankaranë. Kryeministri turk Erdogan i ka kërkuar Irakut të luftojë ekstremistët kurdë në veri të vendit. Nga ana tjetër, Komisioni Evropian i ka tërhequr vëmendjen Turqisë që të respektojë integritetin territorial të Irakut e ta zgjidhë problemin me rrugë paqësore.







All the contents on this site are copyrighted ©.