2007-10-15 18:22:23

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa bëri thirrje për lirimin e meshtarëve irakianë në Mosul.


(15.10.2007 RV)RealAudioMP3 Një lutje drejtuar Zojës, në 90-vjetorin e dukjeve të saj në Fatima, që ta çlirojë njerëzimin nga ‘gërbula’ e dhunës dhe e urrejtjes, të cilat e bëjnë Irakun, ku shkruhen për ditë faqe të reja atentatesh e gjaku, shembull dramatik. Benedikti XVI i lidhi ngushtë këto tema në lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar në praninë e një turme që mbushte Sheshin e Shën Pjetrit, si në të kremtet e mëdha, të cilën e përfundoi me një thirrje të fuqishme drejtuar rrëmbyesve të dy meshtarëve siro-katolikë të Mosulit.
U bëj thirje rrëmbyesve t’i lirojnë menjëherë dy rregulltarët e, duke pohuar përsëri se dhuna nuk i zgjidh tensionet, i lartoj Zotit lutjen për lirimin e tyre, për të gjithë ata që vuajnë nga dhuna e për paqen”.
Këto fjalë të Benediktit XVI në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, krijuan një atmosferë shqetësimi, por edhe shprese, pas çastit të lutjes që Papa ia drejtoi me gjithë zemër Zotit për paqen e për çlirimin e njerëzimit nga gërbula e egoizmit dhe e mëkatit, ashtu si bëri Jezusi, dymijë vjet më parë, me dhjetë të gërbulurit e Ungjillit, të gjithë të paaftë, përveç njërit, një të huaji, për t’u treguar sadopak mirënjohës. Dhuna në Irak e në sa e sa Irakë të tjerë të botës së sotme, është shenjë e së keqes që e shpërfytyron njerëzimin nga brënda, nga zemra e tij:
“Gërbula, që e shpërfytyron vërtetë njeriun dhe shoqërinë, është mëkati; janë mburrja dhe egoizmi, që ngjallin në shpirtin njerëzor indiferencë, urrejtje e dhunë. Këtë gërbulë të shpirtit, që e çorodit fytyrën e njerëzimit, nuk mund ta shërojë kush tjetër, veç Zotit, që është dashuri. Duke ia hapur zemrën Zotit, shpirti i njeriut, që pendohet, shërohet nga e keqja”.
Dhjetë të gërbulurit e shëruar nga Jezusi, nuk u shëndoshën vetëm në trup, por edhe në shpirt. E ky është shërimi më i thellë, që përfshin korp e shpirt, duke e shpëtuar njeriun plotësisht. Një shpëtim i tillë – tha Papa – është diçka shumë më e madhe se shëndeti fizik. Samaritani, që kthehet te Jezusi për ta falënderuar, është njeri i shëruar në shpirt, prandaj Jezu Krishti i thotë: ‘Feja jote të shpëtoi!’.
"Eshtë feja ajo që e shpëton njeriun, duke ia rikthyer lidhjen e thellë me Zotin, me vetveten e me të tjerët; është feja, që shprehet përmes mirënjohjes. Kush di të falënderojë, si Samaritani i shëruar, tregon se nuk e konsideron gjithçka si domosdoshmëri, por si dhuratë që, edhe atëherë kur e merr nga njerëzit ose nga natyra, prap se prap vjen nga Zoti. Feja atëherë e ndihmon njeriun t’ia hapë zemrën Zotit, e bën të kuptojë se gjithçka është dhuratë, ëshë hir. C’thesar fshihet në një fjalë të vogël: ”Faleminderit!”.
E Papa falënderoi Zojën e Fatimes, e cila më 13 tetor, 90 vjet më parë, dukej për herë të fundit në Kova d’Iria të Portugalisë, përpara tre barinjve: Luçisë, Françeskut e Gjaçintës. Në lidhje të drejtpëdrejtë satelitore, Benedikti XVI i drejtoi përshëndetjen e tij të posaçme kardinalit Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit i cili, në të njëjtin çast, në Fatima, kryesonte në emër të Atit të Shenjtë, Meshën me rastin e 90 –vjetorit të dukjeve të Zojës së Fatimës:
“Ju përshëndes përzemërsisht ju, kardinajtë e ipeshkvijtë e tjerë të pranishëm, meshtarët që punojnë në Shenjtërore dhe shtegtarët e ardhur me këtë rast nga katër anët e botës. I lutem Zojës së Bekuar t’u japë gjithë të krishterëve dhuratën e kthesës së vërtetë, që të kumtohet e të dëshmohet me koherencë e besnikëri, mesazhi i përhershëm ungjillor, i cili i tregon njerëzimit rrugën e vërtetë të paqes”.
Gjatë përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, në përfundim të lutjes mariane, Benedikti XVI iu drejtua në mënyrë të posaçme një grupi, ardhur në Romë nga qyteti italian i Dezios për të kremtuar 150-vjetorin e lindjes së Piut XI.







All the contents on this site are copyrighted ©.