2007-10-15 18:22:50

Benedikti XVI priti sot në audiencë një grup ipeshkvijsh të Kongo-Brazavilit, në vizitë 'ad Limina'.


(15.10.2007 RV)Para se të flasim për vizitën e ipeshkvijve në Vatikan, të njohim realitetin e Kishës kongoleze.
Eshtë kishë guximtare, në shërbim të Ungjillit e të më të varfërve. E ungjillëzuar më se njëqind vjet më parë nga Etërit Spiritanë, bashkësia katolike në Kongo-Brazavil u rrit ndjeshëm posaçërisht në gjysmën e parë të shekullit të kaluar. Sot 58% e 3 milion banorëve të vendit, është katolike. Në rritje, edhe thirrjet për rrugën meshtarake e rregulltare. Tani Kongo ka një kryedioqezë, pesë dioqeza e një prefekturë apostolike. Besimtarëve u shërbejnë 400 meshtarë. Pas 20 vjet sundimi të qeverive me prirje marksiste, Kisha është e impenjuar në rindërtimin shpirtëror të shoqërisë civile kongoleze. Vitet e fundit ipeshkvijtë kanë denoncuar të këqijat nga të cilat vuan thellësisht shoqëria kongoleze, që nga mjerimi - tek Sida, nga shpërbërja e familjeve, tek aborti e tek shfrytëzimi i keq i pasurive të nëntokës. Nga ana tjetër, Kisha kongoleze është plot gjallëri e shumë nga të rinjtë e saj pranojnë të nisen si misionarë.
Por, mbi sfidat e Kishës në Kongo, të ndjekim imzot Luis Portela Mbuyu, ipeshkëv i Kinkalës dhe kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Kongo-Brazavilit:“Sot kemi shumë punë për të bërë në baritorinë familjare. E kjo, sepse numri i martesave të krishtera është pakësuar: formohen shumë çifte, por kur është fjala për të vënë kurorë në Kishë, fillojnë problemet, në sa vijon të përhapet praktika e bashkëjetësës, që po shikohet si diçka normale. Duhet bërë shumë, që njerëzit ta kuptojnë si duhet vlerën e vërtetë të këtij sakramenti. Gjithnjë në fushën baritore, ipeshkvijtë punojnë aktivisht posaçërisht për formimin e laikëve. Kjo, për mendimin tim, ka rëndësi të dorës së parë, në se kemi parasysh se në shoqërinë kongoleze mungon një prani e vërtetë kristiane, ashtu si mungojnë edhe laikët e formuar në sferat vendimtare politike dhe ekonomike. Ky është problem sa baritor, aq edhe shoqëror: të krishterët e bindur e të formuar janë ende tepër pak e prandaj nuk kanë peshën e duhur në këto fusha, në sa ne kemi vërtetë nevojë të formojmë besimtarë që e njohin thellësisht Doktrinën shoqërore katolike e, posaçërisht, ata që mund ta dëshmojnë në sferat më me pergjegjësi.







All the contents on this site are copyrighted ©.