2007-10-14 17:56:44

Takimet e Atë Shtjefen Gjeçovit OFM 2007


(14.10.2007 RV- marrë nga Kisha Katolike Gjakovë)Të shtunën, më 13 tetor, në Zym të Hasit u mbajtën Takimet e Gjeçovit 2007.
Ishin këto Takimet e 36-ta me radhë, ku si çdo vit qindra e qindra njerëz vijnë nga të gjitha anët e Kosovës për të kujtuar figurën e madhe të këtij kolosi. Këto takime janë edhe me të bukura sepse janë vërtetë takime të banorëve të Zymit më gurbetçarët dhe me njerëzit e tjerë të ardhur enkas për ketë punë, që të mblidhen nën hijen e figurës së Atë Shtjefnit.
Mysafirët ishin të shumtë, figura të njohura të politikës, artit e të kulturës, e në veçanti dashamirës të shumtë të fjalës së shkruar.
Pas përshëndetjeve u mbajt Ora e Anton Pashkut, ku u lexuan poezi nga më të ndryshmet të poetëve tanë të mirënjohur. Po këtu u zbulua lapidari i Abetares së Zymit, këtij dokumenti të gjallë të shkruar në Zym në vitin 1900.
Edhe Shoqëria kulturore artistike Katarina Josipi ishte si gjithmonë e gatshme të japë një program të shkëlqyeshëm me vallet karakteristike të Hasit.
Kah mbarimi të gjithë të pranishmit shkuan te shtatorja e Nënë Terezës dhe vuan lule të freskëta.
E në fund, sofra zymjane... si gjithmonë e shtruar për miqtë e bijtë vet.







All the contents on this site are copyrighted ©.