2007-10-13 16:09:15

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar


(14.10.2007 RV)RealAudioMP3 Sot, e diela XXVIII e kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar, u përkujtua edhe Shën Kalisti, papë e martir.
hënën do të kremtohet Shën Tereza e Jezusit, virgjër, doktore e Kishës, karmelitane e zbathur. Tereza, që hyri në Urdhërin karmelitan në Avila të Spanjës, u bë nënë e mësuese e të gjithë atyre që dëshirojnë të përsosen shpirtërisht, duke ecur në rrugën asketike. Shkroi edhe libra me frymë të thellë doktrinore, përmes të cilëve na la trashëgim përvojën frymëzuese të jetës së saj të jashtzakonshme
Liturgjia e së martes na kujton se farizejtë i kushtonin shumë vëmendje anës së jashtme të zbatimit të Ligjit të Zotit, duke harruar synimet e vetë Ligjit. Ndërsa Jezusi na mëson të mos vemë në plan të parë dukjen, por respektimin e Ligjit ditë për ditë. Është festa e Shën Edvigës, dukeshë e Polonisë, rregulltare; e Shën Margeritës Alakok, virgjër e Vizitacionit dhe e Shën Gjerald Maielës, vëlla laik redentorist.
Në festën e Shën Injacit të Antiokisë, ipeshkëv e martir e të Shën Pjetër Kasanit, meshtar skolop, që Kisha do t’i kremtojë të mërkurën, liturgjia na kujton se Ligjin, dritë për hapat tanë, Zoti na e dha për të na ndihmuar në rrugën tejét të vështirë të jetës.
Shën Luka ungjilltar, mjek e pajtor i artistëve, që do të kremtohet të enjten, na kujton se edhe sot e kësaj dite kumtimi i Mbretërisë së Hyjit mbetet urgjent e se të korrat janë të shumta, në sa punëtorët, të paktë. Prandaj, si i nisi të Dymbëdhjetët, Jezusi çoi pas tyre edhe shtatëdhjetë e dy nxënës të tjerë, me urdhërin që t’i luteshin të zotit të të korrave të dërgonte punëtorë të tjerë në arë.
Shën Gjoni de Brebëf e Isak Joges, meshtarë e shokët, jezuitë, martirë kanadezë dhe Shën Pali i Krygjës, meshtar, themelues i Pasionistëve, që do të kremtohen të premten e ardhshme, na kujtojnë se frika nga mënyra si mund të na gjykojnë njerëzit, na shtyn shpesh të paraqitemi ndryshe nga sa jemi në të vërtetë, duke harruar se duhet të shqetësohemi vetëm për gjykimin e Zotit.
Qëndrimi që mban njeriu ndaj Jezusit është vendimtar për fatin e tij të amshuar. Këtë na e kujton Shën Maria Boskardin, që do të përkujtohet të shtunën e ardhshme.
Të dielën XXIX pastaj, Benedikti XVI do të vizitojë Kishën e Napolit.







All the contents on this site are copyrighted ©.