2007-10-12 18:29:08

10 vjet më parë ndahej nga jeta don Luigji Di Liegro, themelues i Karitasit të Tiranës e lajme të tjera


(12.10.2007 RV)Si sot 10 vjet më parë u nda nga jeta don Luigji Di Liegro, themelues i Karitasit të Romës, por edhe i Karitasit të Tiranës. Ndërsa ne po transmetojmë, në bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, në Romë, kardinali Ruini sapo ka përfunduar kremtimin e Meshës së dritës për shpirtin e tij.
U quajt “profet i të varfërve” nga Papa Gjon Pali II, pikërisht për punën e palodhur në shërbim të të braktisurve e të nevojtarëve. Pati ardhur në Shqipëri, kur sapo kishin filluar të kremtoheshin meshët e para pas diktaturës e kur Karitasit ia kishin dëgjuar vetëm emrin. Përballoi me impenjim të jashtëzakonshëm periudhën e emergjencës, kur shqiptarët nuk kishin bukë të hanin. Shpërndarja e pakove me ushqime, veshmbathje e ilaçe dhe adoptimet në distancë ndihmuan mijëra nevojtarë në Tiranë dhe rrethinat e saj, edhe aty ku makina e Karitasit e kishte të vështirë të kalonte. Ai dhe vullnetarët që solli nga Roma formuan elementët e parë të Karitasit të Tiranës e të atij kombëtar, që u themelua më vonë.
Motoja e tij “T’i mësojmë që ta fitojnë vetë bukën” u hapi rrugën mikroprojekteve në fshatrat rreth Tiranës, që pajisën fshatarët me traktorë, fara e pleh kimik; në spitalin e kryeqytetit, ku u sollën pajisje për reanimacionin e për onkologjinë; në shkolla me pakot e fletoreve, librave e mjeteve të tjera. Dha një kontribut të rëndësishëm në rindërtimin e kishës së Bilajt afër Tiranës dhe në promovimin e ngjarjeve kulturore, sidomos koncerteve, të katolikëve shqiptarë në Tiranë. Mbi të gjitha, ishte njeri i lutjes, që e jetonte fenë e vet duke u dhënë të tjerëve shembullin e meshtarit të afërt me njerëzit e me hallet e problemet e tyre. Bashkëpunëtorët ia dinë për nder don Luigji Di Liegros edukimin e tyre me atë fe që të lë zgjuar për hallin e të afërmit.
Duke filluar që sot, me meshën në Bazilikën e shën Gjonit në Lateran e deri në dhejtor, Fondacioni “Don Luigji Di Liegro” ka parashikuar një sërë aktivitetesh për të përkujtuar meshtarin e palodhur. Nesër në orën 11.30 do të zhvillohet një ceremoni përkujtimore në Komunën e Romës, të dielën mesha e përshpirtshme do të thuhet në Açilia, të hënën në Auditoriumin e Romës do të zhvillohet një mbrëmje arti e solidariteti, e kështu me radhë deri në dhjetor. Kush dëshiron të dijë më shumë mund të konsultojë faqen e internetit www.fondazionediliegro.it .

Turqia tërheq ambasadorin e vet nga SHBA-të. Ashpërsohen pra marrëdhëniet ndërmjet Uashingtonit dhe Ankarasë, pas votimit të Komisionit të Jashtëm të Kongresit amerikan, i cili për herë të parë njohu përgjegjësinë e Perandorisë otomane në genocidin armen të viteve 1915-1916. Presidenti Bush theskoi se do të bëjë ç’është e mundur për të bindur Kongresin që ta tërheqë rezolutën, e cila ka shkaktuar reagimin e fortë të Turqisë, pasardhëse e Perandorisë otomane. Zyrtarisht, qeveria e Ankarasë e ka tërhequr ambasadorin për konsultime, por nuk përjashtohen qëndrime edhe më të ashpra.
Ndërkaq, ky nuk është i vetmi problem i Turqisë. Sot, me një komunikatë në mas mediat lokale, separatistët kurdë të Partisë së Punës së Kurdistanit sfidojnë qeverinë e Ankarasë, duke paralajmëruar se nga Iraku do të hyjnë në Turqi për të goditur të gjitha partitë turke pa përjashtim. Gjatë kohëve të fundit janë zhvilluar luftime të ashpra në jug të Turqisë, në të cilat kanë humbur jetën rreth 15 policë turq. Kjo e ka detyruar qeverinë e kryeministrit Erdogan të shqyrtojë mundësinë e një ofensive në territorin irakian. Erdogan është gati të përballojë edhe reagimet negative të SHBA-ve dhe të bashkësisë ndërkombëtare në përgjithësi, që kanë frikë se ndërhyrja mund të destabilizojë edhe vetë Irakun.

Lahet me gjak fundi i muajit të Ramazanit, i shenjtë për myslimanët. Nga Iraku në Afganistan e në Indi, një seri atentatesh kanë shkaktuar shumë viktima, pikërisht në ditën e Bajramit të Madh. Në Irak, çmimin më të lartë të gjakut e paguajnë fëmijët. Një kamikaze shpërtheu pranë një kopshti në qytetin e Tuzit. Një i rritur dhe një fëmijë mbetën të vrarë, ndërsa 13 fëmijë të tjerë u plagosën. Në një operacion kundër terroristëve të Al Kaidës, amerikanët vranë “pa dashur” 15 vetë, 6 gra e 9 fëmijë, e plagosën 19 të tjerë.
Në Afganistan, një bombë që shpërtheu pranë një xhamie shkaktoi 4 të vdekur e 14 të plagosur. Në Indi, dy sulme terroriste kanë shkaktuar 6 viktima. Qeveria e Nju Delhit ka shpallur gjendjen e emergjencës. Për t’u shënuar anomalia e Algjerisë, ku muaji i shenjtë i Islamit do të përfundojë të shtunën, pasi akoma nuk është parë gjysmëhëna që shënon fundin e Ramazanit.

Në Olimpiadën e Pekinit 2008 delegacionet e sportistëve nuk mund të sjellin me vete “broshura e materiale të përdorura për çdo lloj aktiviteti fetar ose politik ose për demonstrim”. Kjo është një nga normat e imponuara nga komiteti organizator. Gjithsesi, nuk është e qartë se ndër tekstet e ndaluara hyjnë edhe Bibla apo Kurani. Është e ndaluar gjithashtu edhe hyrja e flamujve të vendeve që nuk marrin pjesë në Olimpiadë. Është hera e parë që parashikohen norma kaq kufizuese për një manifestim sportiv botëror, e pavarësisht se në vend janë bërë të ditura, federatat olimpike kombëtare nuk janë njoftuar akoma.







All the contents on this site are copyrighted ©.