2007-10-11 17:46:26

Nesër në Romë fillojnë punimet e Kursit ndërkombëtar për formimin e kapelanëve ushtarakë katolikë, organizuar nga Selia e Shenjtë.


(11.10.2007 RV)Lufta kundër terrorizmit, mbrojtja e të drejtave të njeriut, statusi juridik i armëve bërthamore, përdorimi i mjeteve të reja të luftës dhe zbatimet e bioteknologjisë në ushtri - janë temat kryesore aktuale, që do të trajtohen gjatë kursit, organizuar nga Kongregata për Ipeshkvijtë, në bashkëpunim me Këshillat Papnore për Drejtësinë e Paqen, për Dialogun Ndërfetar dhe për Bashkimin e të Krishterëve.
Ky kurs, me pjesëmarrjen e Ordinariateve ushtarake të më se 30 vendeve si dhe të specialistëve katolikë, protestantë, hebraikë, myslimanë e indusitë, në ndryshim nga ai që u organizua në vitin 2003 me temë “E drejta humanitare dhe kapelanët ushtarakë”, do të ketë karakter ekumenik e ndërfetar. E dëshmon edhe vetë tema: “Dinjiteti i njeriut dhe e drejta humanitare: roli i feve”.
Rezultatet do t’i paraqiten, nga Selia e Shenjtë, Konferencës së 30-të ndërkombëtare të Kryqit të Kuq e të Gjysmëhënës së Kuqe, që do të mbahet në Gjenevë nga 26 deri më 30 nëntor 2007.







All the contents on this site are copyrighted ©.