2007-10-10 18:49:46

Përfundoi udhëtimi i kardinalit Martino në tre shtete latinoamerikane për të shpjeguar temat e mëdha të mësimeve shoqërore kristiane.


(10.10.2007 RV)Politika nuk është vetëm pjesë përbërëse dhe element me rëndësi vendimtare në jetën e njerëzve të një vendi: për të krishterin është edhe mjedisi më i lartë, ku mund të bëhet realitet vëmendja dhe shërbimi ndaj vëllezërve, dmth ku mund të vihet në jetë bamirësia. Këtë theksoi dje, duke trajtuar temën “Politika dhe vlerat’ në Xhokei Klab të Qytetit të Platës, në Argjentinë, kryetari i Këshillit Papnor të Drejtësisë dhe Paqes, kardinali Renato Martino, në përfundim të vizitës së tij dymbëdhjetë ditore në tre vende të Amerikës Latine, duke filluar nga Ekuadori, për të kaluar më pas në Brazil e në Argjentinë, ku foli për temat e mëdha të mësimeve të Kishës në fushën shoqërore.
Sipas kardinalit Martino, kur i krishteri është i thirrur të pranojë e të ushtrojë pushtetin, duhet ta mposhtë tundimin për ta bërë mjet të padrejtësisë e të dhunës, sepse ky do të ishte mohim i qartë i fesë që thotë se praktikon dhe i dashurisë së krishterë, që duhet ta karakterizojë. Një impenjim i tillë, për kardinalin Martino, bëhet edhe më problematik, kur të krishterit i duhet të zgjedhë e të mbështesë opcionet e të tjerëve në fusha ose realitete që kanë të bëjnë me vlera etike të dorës së parë, siç është karakteri i shenjtë i jetës, pazgjidhshmëria e martesës, kërkimi shkencor, vendimet ekonomike që ndikojnë mbi jetën e nënshtetasve e posaçërisht mbi të varfërit. Kur, përmes lojës së demokracisë, miratohen ligje që u bien ndesh parimeve e vlerave, të cilat i krishteri i jeton e i propozon, atëherë atij i duhet të bëjë një zgjedhje të vështirë: ose të heqë dorë nga parimet dhe vlerat e veta, ose të braktisë rrugën e demokracisë dhe të bashkëjetesës shoqërore. Atëherë duhet të ketë mirë parasysh jo vetëm ndryshimin, por edhe lidhjen ndërmjet rendit ligjor e atij moral. Nuk duhet të heqë dorë nga identiteti i tij, por njëkohësisht duhet të jetë gjithnjë gati për të dialoguar. Së fundi, në veprimtarinë e tij shoqërore e politike, laiku i krishterë duhe t’u qëndrojë gjithnjë besnik vlerave natyrore, duke respektuar pavarësinë e tyre nga realitetet e përkohshme; vlerave morale, duke pasur mirë parasysh përmasën etike të çdo problemi shoqëror e politik; vlerave të mbinatyrshme, duke i kryer detyrat e veta sipas shpirtit të Jezu Krishtit, domethënë me hirin e dashurinë e tij.Në përfundim të fjalimit të mbajtur në Xhokei Klab të la Platës në Argjentinë, kardinali Martino ripropozoi Lumnitë e politikanit, formuluar nga paraardhësi i tij në kryesinë e dikasterit të Drejtësisë e të Paqes, kardinali Van Thuan: “I lumi politikan që jep shembull personal të besueshëm; i lumi politikan që punon për të mirën e përbashkët e jo për interesa personale; i lumi politikan, që e dëgjon zërin e popullit para, gjatë e pas zgjedhjeve, në sa dëgjon gjithnjë Zotin në lutje; i lumi politikan që nuk ka frikë nga e vërteta e as nga mjetet e komunikimit, sepse në çastin e gjykimit, do të përgjigjet vetëm para Zotit e jo para gazetave e gazetarëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.