Në audiencën e përgjithshme, Benedikti XVI u lut për forcimin e dialogut ndërmjet
katolikëve e ortodoksëve. Katekizmin ia kushtoi Shën Hilarit të Puatjesë.
(10.10.2007 RV) Dialogu
ekumenik ndërmjet katolikëve e ortodoksëve është në qendër të vëmendjes së kësaj papnie
në rrugën drejt bashkimit të gjithë të krishterëve. Benedikti XVI bëri një thirrje
të veçantë, në përfundim të audiencës së sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin
e Shën Pjetrit, kushtuar figurës së Shën Hilarit të Puatjesë. Papa u kërkoi të
gjithë besimtarëve të luten që punimet e Komisionit të përbashkët ndërkombëtar për
dialogun teologjik ndërmjet Kishës katolike e Kishës ortodokse, mbledhur që të hënën
e kaluar në Ravenë të Italisë, të përfundojnë me sukses. Është fjala për sesionin
e 10-të plenar të Komisionit, që po reflekton mbi: “Pasojat ekleziologjike e kanonike
të natyrës sakramentore të Kishës; Bashkimin kishtar, pajtimin e autoritetin”. Temë
teologjike me interes të veçantë ekumenik – nënvizoi Benedikti XVI, dhe në vijim i
drejtoi gjithë besimtarëve thirrjen: “Ju kërkoj të bashkoheni me lutjen time,
që ky takim i rëndësishëm të ndihmojë në rrugën drejt bashkimit të plotë të katolikëve
me ortodoksët e të vijë sa më shpejt ajo ditë, kur të ndajmë së bashku të njëjtin
kelk të Zotit”. Në këtë kontekst merr një domethënie të veçantë edhe figura
e Shën Hilarit të Puatjesë, doktor i Kishës, një nga ipeshkvijtë më të mëdhenj të
shekullit V, të cilit Papa i kushtoi katekizmin e sotëm. E kjo, sepse shenjti diti,
përballë arianëve që e konsideronin “Birin e Hyjit’ thjeshtë ‘krijesë njerëzore, ndonëse
të jashtzakonshme’, të mbronte sa me forcë, aq edhe me urti, natyrën hyjnore të Jezusit,
si Bir i Hyjit dhe natyrën e Hyjit si Atë, që e lindi që prej amshimit. Shën Hilari,
i cili ia kushtoi gjithë jetën kësaj kauze – kujtoi Benedikti XVI - qe gjithnjë në
kundërshtim të vendosur e të hapur me arianët radikalë, por mbajti qëndrim pajtues
me ata që pranonin se Biri ishte i ngjashëm me Atin dhe u përpoq t’i bindte që të
pranonin se Ati e Biri kishin të njëjtën natyrë hyjnore: “Pikërisht për këtë
arsye rruga drejt Krishtit është e hapur për të gjithë, ndonëse kërkohet përherë pendimi
vetjak”- thaAti i Shenjtë dhe e përfundoi katekizmin me lutjen e Shën
Hilarit drejtuar Zotit për t’i qëndruar gjithnjë besnik fesë së marrë në Pagëzim,
sepse besnikëria ndaj Zotit është dhuratë e hirit të tij.Në përshëndetjet drejtuar
dhjetra mijëra besimtarëve, shtegtarëve e turistëve nga mbarë bota, mbledhur në Sheshin
e Shën Pjetrit, mendimi i Papës shkoi posaçërisht tek i Lumi Gjoni XXIII, që do të
kujtohet nesër në liturgji, duke uruar që dëshmia e tij e paharrueshme ungjillore
t’u japë zemër veçanërisht të sëmurëve, e sidomos miqve të vegjël të Institutit milanez
për mjekimin e tumoreve, që kishin ardhur në Sheshin e Shën Pjetrit për të dëgjuar
katekizmin e Papës.