2007-10-10 18:50:43

Dituria dhe misioni i të krishterit në botën e sotme, gjatë kremtimit të hapjes së vitit të ri akademik pranë Universitetit Gregorian, Urbanian e të Shenjtes Krygjë.


(10.10.2007 RV)‘Dituria duhet parë si mjet i misionit’: kjo u theksua në fjalimet që u mbajtën gjatë ceremonive të hapjes së Vitit të ri akademik në tre universitetet papnore romake.
“Pa dashuri për të tjerët, posaçërisht për të varfërit, çdo lloj shkence është krejt e kotë” – këtë pohoi kardinali Ivan Dias para studentëve e profesorëve të Universitetit Urbanian, të cilëve u kujtoi shembëlltyrën e Samaritanit të mirë, duke nënvizuar se impenjimi universitar ndihmon, përmes studimit, në njohjen e mistereve hyjnore, me qëllim që ta luftojmë me inteligjencë, të ushqyer nga feja e nga dashuria e krishterë, luftën tonë për ngadhënjimin e së mirës”.
Edhe prelati i Opus Dei-t, Kancelari i madh i Universitetit Papnor të Shenjtes Krygjë, imzot Havier Eçevarria, theksoi nevojën e përtëritjes së jetës akademike e shpirtërore, si rrugë për ta kryer me sukses misionin që na ka besuar Zoti, në një shoqëri të rënduar nga kriza e kulturës dhe e identitetit. Në kushte të tilla - theksoi prelati - universiteti ëshë një nga vendet më cilësore për të kërkuar e për të gjetur rrugëdaljen nga kjo situatë. Në hapjen e Universitetit Papnor Gregorian, kremtuar, sipas traditës në kornizën madhështore të Kishës së Shën Injacit në Romë, përplot me profesorë e studentë të ardhur nga të katër anët e botës, vitin e 457-të akademik të ateneut e deklaroi të hapur Rektori i madh, jezuiti Atë Gjanfranko Girlanda, i cili gjatë homelisë të Meshë së rastit, theksoi se Universiteti i lashtë Gregorian, besnik ndaj rrënjëve të veta, është i thirrur t’ia hapë portat realitetit aktual e t’i përgjigjet, me frymë krijuese, nevojave të Kishës e të botës së sotme”.








All the contents on this site are copyrighted ©.