2007-10-09 17:39:46

Përmirësimi i kushteve shoqërore e frenimi i sekteve fetare: këto janë përparësitë baritore të Kishës në Brazil.


(09.10.2007 RV) RealAudioMP3 “Të punojë për të përmirësuar kushtet shoqërore në vend e posaçërisht, për t’i vënë fre përhapjes shqetësuese të sekteve fetare”. Këto janë veprimtaritë baritore të dorës së parë për Kishën braziliane, prelatët e së cilës, të kryesuar nga kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Brazilit, kryeipeshkvi i Marianës, imzot Gjeraldo Lirio de Roka, u pritën në audiencë nga Benedikti XVI.
Intervistuam imzot de Rokën, duke i drejtuar së pari pyetjen:
Pyetje: - Ç’ kujtoi Papa nga vizita në Brazil?
Përgjigje: - Kujtoi shumë çaste e posaçërisht takimin me të rinjtë. Kam përshtypjen se ky takim ka lënë gjurmë të thella në zemër të Papës, sepse foli për të me shumë emocion.
Pyetje: - Ç’ka ndryshuar në Brazil pas vizitës së Benediktit XVI?
Përgjigje: - Para së gjithash, entuziazmi, gëzimi, impenjimi më i madh i mbarë Kishës në Brazil, e jo vetëm nga ana e ipeshkvijve e meshtarëve, por edhe e shumë laikëve, që zbuluan një aspekt pak të njohur të personalitetit të Papës: mënyrën si u foli të rinjve e fëmijëve.
Pyetje: - Sfidat e Kishës në Brazil sot?
Përgjigje: - Një nga sfidat më të mëdha është situata shoqërore, që rëndohet vazhdimisht. Kur vuajnë njerëzit tanë, vuan e gjithë Kisha. Problem tjetër është kalimi i besimtarëve tanë në emërtime të tjera fetare. Kjo është një sfidë e madhe, sepse po rritet gjithnjë popullsia që jeton në rrethinat e qyteteve të mëdha si dhe ajo që ikën nga vendi i vet për t’u vendosur në zona të tjera të Brazilit e për të punuar kryesisht në bujqësi. E kjo ka si pasojë braktisjen e rrënjëve fetare, gjë që i bën njerëzit të bien lehtësisht nën ndikimin e sekteve. Kisha i kundërvë kësaj situate, krijimin e bashkësive të vogla, në të cilat njerëzit mund të jetojnë më pranë njëri-tjetrit, ta ndihmojnë njëri-tjetrin e sidomos, ta njohin e ta jetojnë Fjalën e Zotit, të ndjekin sakramentet e kremtimet. Bashkësitë e vogla mund të bëhen edhe misionare për të tjerët në gjirin e vetë Kishës së Brazilit si dhe në misionin ndërmjet popujve.







All the contents on this site are copyrighted ©.