Mesazh i kardinalit Toran botës islamike për përfundimin e Ramazanit: të krishterët
e myslimanët duhet ta dëshmojnë respektin reciprok në frymën e paqes.
(09.10.2007 RV)“Të krishterët e
myslimanët janë të thirrur të promovojnë kulturën e paqes” - ky është titulli i mesazhit
që kardinali Zhan-Lyi Toran, kryetar i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar u drejtoi
besimtarëve myslimanë me rastin e festës së ‘Id al-Fitr’ e cila, aty nga mezi i tetorit,
do të shënojë edhe përfundimin e Ramazanit, kohë e shenjtë për fenë islame. Për frymën
e këtij mesazhi na flet vetë kryetari i dikasterit vatikanas, kardinali Toran,
në mikrofonin e Radios sonë: Përgjigje: - Është mesazh solidariteti shpirtëror,
që thekson dy çështje kryesore: edukimin dhe shembullin, të detyrueshme për besimtarët.
Para së gjithash duhet parë edukimi: njeriu duhet edukuar për ta pranuar tjetrin,
për t’i respektuar bindjet e tjetrit. Në tekst flitet për të përfituar nga pasuritë
e njëri-tjetrit. Më pas vjen shembulli: besimtarët duhet t’i kryejnë besnikërisht
detyrat e tyre njerëzore dhe fetare e, sidomos, të shprehin solidaritetin, duke jetuar
sipas planit të Krijuesit. Ky është aspekti i edukimit dhe i dëshmisë. Pyetje:
- Liria e fesë nuk reduktohet vetëm në lirinë e kultit –lexohet në mesazh - sepse
është një nga aspektet më themelore të lirisë së ndërgjegjes. A mund të na e saktësoni
më mirë këtë pohim? Përgjigje: - Liria e kultit është mundësia për të pasur
një kishë, një xhami, një tempull ku mund të shkosh për t’u lutur. Kjo ka shumë rëndësi,
por është vetëm një aspekt i lirisë fetare, sepse liri fetare do të thotë t’i lesh
njerëzit të lirë të besojnë ose të mos besojnë në Zotin, do të thotë të mos i shtrëngosh
të besojnë me detyrim e të mos i pengosh të zënë vendin që u takon në shoqëri, të
kryejnë veprimtari bamirëse, të kenë shkollat e veta, spitalet e veta e të marrin
pjesë lirisht në dialogun publik. Liria e besimit është liri shoqërore. Pyetje:
- Mesazhi nënvizon se dhuna nuk mund të ushtrohet kurrë nën maskën e fesë, sepse
kështu fyhet jo vetëm njeriu, por kryesisht vetë Zoti? Si mund të fitohet mbi terrorizmin?
Përgjigje: - Para së gjithash, duke kërkuar shkakun e ekzistencës së terrorizmit.
Shpesh herë terrorizmi është shprehje e situatave të padrejta. Pa dashur ta përligj
terrorizmin, duhet pranuar se lind në një terren ku ka probleme të pazgjidhura. Prandaj
së pari duhet të zgjidhen këto probleme që kanë të bëjnë me padrejtësinë. Pastaj duhet
t’i edukojmë njerëzit të mbrojnë të drejtën për jetën, dinjitetin e njeriut, të kuptojnë
se vetëm Zoti është zotëria i jetës së çdo njeriu. Mbi të gjitha, është e rëndësishme
të mos pranohet terrorizmi në emër të Zotit. Kujtojmë se Benedikti XVI thotë gjithnjë
: “Feja e dhuna nuk kanë asgjë të përbashkët”.