Në Engjëllin e Tënzot të festës së Zojës Rruzare, Papa fton për lutje dhe reflekton
për impenjimin misionar.
(08.10.2007 RV)Dje, lutja e parë
e Engjëllit të Tënzot e Benediktit XVI në Sheshin e Shën Pjetrit, pas tre muajsh
të kaluar në Kastel Gandolfo. Për ta ndjekur lutjen e Papës, që u kthye të mërkurën
e kaluar në Vatikan, ishin mbledhur më se 50 mijë besimtarë. Ati i Shenjtë i ftoi
të reflektojnë për festën e djeshme të Zojës Rruzare si dhe për impenjimin misionar,
të cilit i kushtohet posaçërisht muaji tetor. Duke kujtuar figurën tradicionale
të Zojës Rruzare, që e paraqet Marinë në sa me njërin krah mban foshnjën e me tjetrin
i jep Shën Dedës rruzaren, Benedikti XVI kujtoi festën e djeshme të Zojës Rruzare: ”Kjo
ikonografi kuptimplote tregon se Rruzarja është mjet që Zoja e Bekuar na e dhuron
për të kundruar Jezusin e, duke medituar për jetën e Tij, për ta dashur e për ta ndjekur
pas gjithnjë e më besnikërisht. E Zoja na ka porositur ta themi Rruzaren edhe në
disa nga dukjet e saj”. Mendoj posaçërisht – shtoi Benedikti XVI – për dukjen
e Zojës në Fatima, 90 vjet më parë. Duke iu paraqitur si ‘Zoja e Rruzares” tre barinjve
të vegjël, Luçisë, Gjaçintës e Françeskut, Nëna e Krishtit i porositi me këmbëngulje
ta thoshin për ditë rruzaren, për të nxjerrë kështu hirin e përfundimit të luftës.
E kjo porosi ka vlerë edhe për sot – vijoi Ati i Shenjtë. Edhe ne duam ta pranojmë
porosinë e Zojës, duke u zotuar ta themi me fe Rruzaren për paqe në familje, ndër
kombe e në mbarë botën. Megjithatë, e dimë se paqja e vërtetë mbretëron atje ku njerëzit
dhe institucionet ia hapin zemrën Ungjillit. Më pas Papa foli për impenjimin misionar,
të cilit i kushtohet në mënyrë të veçantë muaji në vijim si dhe për Ditën Misionare
Botërore, që do të kremtohet më 21 tetorin e ardhshëm. Muaji tetor – tha Ati i Shenjtë
– na ndihmon ta kujtojmë këtë të vërtetë themelore, ta mbajmë gjallë në çdo bashkësi
frymën misionare dhe të mbështesim punën e priftërinjve, të rregulltarëve, rregulltareve
e laikëve si dhe të gjithë atyre që ndodhen në radhët e para të frontit të misionit
të Kishës. “Kumtimi i Ungjillit mbetet shërbimi i parë që Kisha duhet
t’i bëjë njerëzimit, për t’i propozuar shëlbimin e Krishtit njeriut të kohës sonë,
të poshtëruar e të shtypur në shumë forma e për t’i orientuar në drejtimin e krishterë
shndërrimet kulturore, shoqërore dhe etike, që vijojnë në botë”. Impenjimi
misionar – vijoi të pohonte Benedikti XVI – do të ketë një shtytje të re këtë vit,
kur përkujtohet 50-vjetori i enciklikës së papës Piu XII ‘Fidei Donum’. Është enciklika
që nxiti dhe inkurajoi bashkëpunimin ndërmjet Kishave për misionin në gjirin e të
gjithë popujve. Më pas Ati i Shenjtë kujtoi sesi 150-vjet më parë, pesë meshtarë,
ndërmjet të cilëve Daniel Komboni, u nisën për Afrikë. Në përfundim të Engjëllit të
Tënzot, Papa përshëndeti të rinjtë që pak ditë më parë morën pjesë për herë të katërt
në Misionin e Romës, të cilin e quajtën ‘Jezusi në qendër’. Benedikti XVI përshëndeti
edhe mijëra të rinjtë e mbledhur në bazilikën e Shën Palit jashtë mureve të Romës,
për të marrë pjesë në Meshën e kremtuar nga kardinali Fiorenco Angjelini me rastin
e ‘Festës së tretë sportive’.