2007-10-08 18:13:13

Frikë ndër të krishterët e Gazës pas vrasjes së protestantit e lajme të tjera


(08.10.07 RV)Zemërim dhe frikë në bashkësinë e krishterë të Gazës, pas vrasjes së një të riu protestant. Personi u rrëmbye të shtunën e dje, trupi i tij pa jetë u gjet në afërsi të një xhamie. Episodi ka shkaktuar edhe reagimet e fondamentalistëve të Hamasit, të cilët e kanë dënuar aktin nëpërmjet ish-kryeministrit palestinez, Ismail Hanijeh. Për gjendjen e krijuar ndërmjet të krishterëve, të dëgjojmë atë Manuel Musallam, i vetmi meshtar katolik në Gazë:
Të krishterët e Gazës kanë frikë, sepse është hera e parë që një i krishterë vritet në këtë mënyrë në Palestinë. Në përgjithësi, myslimanët janë miqtë tanë, kemi shumë takime me ta. Sot jam takuar me dy ministra të Hamasit, që erdhën të më shihnin në shkollën e murgeshave të Rruzares, e cila është sulmuar dhe djegur. Shkolla është riparuar dhe dy ministrat erdhën të më sillnin solidaritetin e myslimanëve.
Si i konsiderojnë myslimanët, të krishterët që jetojnë në Rripin e Gazës?
Ne jemi palestinezë, jemi të krishterë të Palestinës dhe myslimanët e njohin mirë këtë realitet. Të krishterët që jetojnë jashtë – italianët, evropianët, amerikanët e të të gjithë botës – i quajnë “kryqtarët” dhe nuk i duan. Por ne të Palestinës na quajnë “të krishterë” e kjo fjalë na ndan me ata që jetojnë jashtë. Para ditës së djeshme, asgjë nuk u ka ndodhur të krishterëve. Është hera e parë dhe myslimanët vetë mbetën të habitur.

Presidenti pakistanez Musharraf arriti shëndoshë e mirë në Kashmir, ku helikopteri i tij u ul pa ndonjë problem. Fatkeqësisht, helikopteri i rojeve u rrëzua sot paradite në një aksident ku mbetën të vrarë 4 vetë dhe u plagosën tre të tjerë. Musharraf u konfirmua si president në votimin e së shtunës, por duhet të presë vendimin e Gjykatës së Lartë, e cila do të shprehet përfundimisht më 17 tetor.


Studentë që thërrisnin “vdekje diktatorit!” para se presidenti iranian Ahmadinexhad të fliste në Universitetin e Teheranit u ndeshën me studentë që mbështesnin presidentin. Rasti qe përurimi i vitit të ri shkollor e ngjarja tregon se Ahmadinexhad po humbet përkrahës në brezin e ri.

Filloi sot e do të vazhdojë dy javë shpërndarja Çmimeve Nobel për vitin 2007. Sot u dha Çmimi Nobel për mjekësinë një ekipi ndërkombëtar prej tre personash që kanë kryer eksperimente me celulat staminale. Një kuriozitet: Stalini ka qenë kandidat për Nobelin e Paqes dy herë, më 1945 dhe më 1948. Gandit nuk ia dhanë kurrë, megjithëse ka qenë 12 herë kandidat, herën e fundit pak ditë para vrasjes







All the contents on this site are copyrighted ©.