2007-10-06 16:22:04

Të bashkuar rreth figurës së ëmbël të Zojës Rruzare.


(07.10.2007 RV)Sot shenjti dhe kujtesa historike e ditës bashkohen në një duke na kujtuar të kremten e Zojës Rruzare dhe Betejën e Lepantos.
Më 7 tetor 1571 në Lepanto, në ngushticën që ndan Gjirin e Patrasit dhe Korinthit, koalicioni i formuar nga Venediku, Spanja dhe Shteti papnor arriti një fitore të paparë deri në atë kohë kundër flotës turke, të përbërë nga 274 anije e të komanduar nga Ali Pasha. Anijet u mbytën të gjitha ndërsa komandanti mbeti i vrarë gjatë betejës. Ishte një ngjarje që pati jehonë të jashtzakonshme në gjithë botën e krishterë, gjë që e shtyu papën Piu V të caktonte një festë falënderimi, e cila u quajt "Shën Maria e Fitores"
Kjo festë më 1716 u shtri në mbarë Kishën universale dhe u fiksua përfundimisht më datën 7 tetor nga Shën Piu X në vitin 1913. Festa e Zojës Rruzare, siç u quajt më pas - do të përmblidhte të gjitha festat e Zojës dhe misteret e Krishtit, që pati gjithnjë pranë Nënën e tij të Virgjër.
Shenjtërorja më e njohur kushtuar Zojës Rruzare është ajo e Pompeit, në Itali.
Nën masën vigane të vullkanit të Vezuvit - i cili 1930 vjet më parë shkatërroi tre qytete, duke fiksuar dramatikisht në kohë hollësitë e kësaj historie, të cilat na i kthen si një dokument të jashtzakonshëm historik nën qiellin e hapur, në Shenjtëroren e Zojës Rruzare u lartua përsëri lutja mariane, për të falënderuar Zotin për frytet e këtij viti i cili rizgjoi dëshirën për ta thënë Rruzaren, lutje tepër aktuale përballë sfidave të mijëvjeçarit të tretë dhe impenjimit urgjent të ungjillëzimit të ri, sepse sot, si në kohët e Pompeit të lashtë, është e nevojshme t'ia kumtojmë Krishtin një shoqërie e cila po largohet nga vlerat e krishtera e po e shlyen nga kujtesa"
E rrënojat e Pompeit duket sikur flasin, sikur qortojnë, sikur thonë: fati i njeriut është i pasigurtë; siguria mund të gjindet vetëm tek Ungjilli që shpëton, që shëlbon! E Rruzarja është një shtesë efikase e Ungjillit, për t'ia kumtuar Krishtin një shoqërie që po largohet përherë e më shumë nga vlerat e krishtera. Por Rruzarja është edhe lutje gjithnjë aktuale për të përhapur mesazhin e paqes, posaçërisht në fillimin e një mijëvjeçari që ka shumë nevojë për paqe.

 
 







All the contents on this site are copyrighted ©.