2007-10-06 16:20:01

Tetori—muaji i Rruzares e muaj misionar.


(07.10.2007 RV) RealAudioMP3 Më 5 shtator 1898 Leoni XIII, ndërmjet tjerash, shkruante kështu në letrën e tij enciklike “Diuturni temporis”: “Pasi kemi ngulitur… me thirrjet Tona të përsëritura, praktikën e Rruzares Shenjte, Ne, duke ndjekur shembullin e Paraardhësve tanë, i kemi kushtuar vëmendje të posaçme zhvillimit e solemnitetit të kultit. Nga paraardhësit tanë, qe Siksti V ai që e miratoi zakonin e lashtë për të thënë Rruzaren; Gregori XII themeloi festën e Rruzares; Klementi VIII e përfshiu në martiriolog; Klementi XI e shtriu në të gjithë Kishën e Benedikti XIII e radhiti, pastaj, në Shkurtoren romake. Kështu ne, duke dëshmuar vlerësimin e madh për këtë formë përshpirtërie, përveç se dekretuam që festa e lartpërmendur dhe oficja e saj të kremtohen në mbarë Kishën… deshëm edhe që gjithë muaji i tetorit t’i kushtohet këtij devocioni. Së fundi, porositem që në Litanitë Lauretane të shtohet lutja drejtuar: “Mbretëreshës të së Shenjtnueshmes Rruzare”.
Me që tashmë ka filluar muaji i Rruzares, ftuam në mikrofonin tonë kryeipeshkvin e Pompeit, imzot Karlo Liberatin, përgjegjës i njërës nga shenjtëroret më të njohura mariane kushtuar Zojës Rruzare, të na flasë mbi kuptimin e devocionit të Rruzares:
Përgjigje: - Rruzarja e Zojës së Bekuar mori hov të veçantë në mijëvjeçarin e dytë përmes frymëzimit të Shpirtit të Zotit. Ishte lutja më e dashur për shumë shenjtorë. E inkurajuar nga papët e Kishës për thjeshtësinë e thellësinë e saj, mbetet edhe në mijëvjeçarin e tretë, që sapo ka filluar, lutje me kuptim të jashtzakonshëm, e paracaktuar të sjellë fryte shenjtërie. Bën pjesë në kuadrin e rrugës shpirtërore të krishterimit i cili, pas dymijë vjetësh, nuk e ka humbur aspak freskinë e zanafillës dhe ndjen si Shpirti i Hyjit e shtyn përsëri të dalë në det të hapur, për t’i kumtuar me zë të lartë botës Krishtin si Zot e Shëlbues, si Rruga, e Vërteta e Jeta, siç shprehet Shën Gjoni në kapitullin e 14-të të Ungjillit të tij - e vatër në të cilën ndriçojnë e ngrohin idealet e historisë së qytetërimit, siç e vërteton rruga e historisë së njerëzimit. Këtë na e kujton Gjon Pali II në letrën apostolike ”Ruzarja e Virgjërës Mari”, përmes së cilës thekson se Rruzarja, e cila karakterizohet nga fizionomia mariane, është lutje me zemër kristologjike. Në thjeshtësinë e elementeve të saj, ka në vetvete gjithë thellësinë e mesazhit ungjillor, duke u bërë kështu gati-gati një përmbledhje e tij. Në të kumbon lutja e Marisë, “Madhërimi” i përhershëm i Zotit për veprën e mishërimit shpërblyes, që zu fill në kraharorin e saj. Me të, populli i krishterë ulet në bankat e shkollës së Marisë, prej nga Nëna e Krishtit i prin drejt kundrimit të bukurisë së fytyrës së Birit dhe përvojës të thellësisë së dashurisë së tij. Përmes Rruzares, i krishteri nxjerr hiret, të cilat i duket sikur i merr nga vetë duart e Nënës së Shëlbuesit.







All the contents on this site are copyrighted ©.