2007-10-06 16:21:25

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar


(07.10.2007 RV)RealAudioMP3 Sot, e diela XXVII e kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar, u përkujtuan edhe Zoja Ruzare si dhe Shenjtorët Sergji e Baku, martirë.
hënën Kisha do të kremtojë Shën Benediktën dhe Shën Pelagenë, virgjër e martire. Jeta dhe sidomos vdekja e tyre na shtyn të meditojmë për jetën e pasosur e t’i bëjmë vetes pyetjen themelore: “Ç’duhet të bëj, për ta gëzuar?”. Përgjigjen na e jep Jezusi nga leximet liturgjike të festës: “Duhet të ndihmoj këdo që ka nevojë, duke qenë plot mirësi e mëshirë me të gjithë”.
Liturgjia e së martes na kujton se fjalët e Jezusit drejtuar Martës, nuk mund të jenë qortim, sepse ajo e priti Zotin me gjithë zemër në shtëpinë e saj. Fjalët e Krishtit na kujtojnë se, kur shërbejmë për dashuri, nuk duhet ta harrojmë vetë dashurinë, që na shtyn të shërbejmë. Është festa e Shën Dionisit, ipeshkëv dhe e shokëve të tij martirë, e Shën Gjon Leonardit, meshtar, themelues i Klerikëve Rregulltarë të Nënës së Zotit dhe e Shën Abrahamit, patriark.
Në festën e Shën Paolinit, ipeshkëv i Jorkut dhe të Shenjtorëve Danieli, Samueli e shokë, martirët e parë françeskanë, që Kisha do ta kremtojë të mërkurën, Ungjilli i Shën Lukës na çon ndërmjet Apostujve të cilët, si e kishin parë Jezusin në uratë, i kërkuan të bëhej mësuesi i tyre i lutjes. T’ia kërkojmë edhe ne këtë hir: e kush mund të na mësojë t’i lutemi Atit, më mirë se i Biri?
Shenjtorët Filipi, diakon; Aleksandër Sauli, ipeshkëv i Pavisë dhe i lumi Gjoni XXIII, papë, që do të kremtohen të enjten, na nxisin ta thellojmë reflektimin mbi hirin e lutjes: në se është Jezusi ai që na mëson të lutemi, si mund ta vemë në dyshim frytin e mësimit të tij? Mungesën e hirit të lypur nuk duhet ta kërkojmë tek lutja, por tek mungesa e besimit tonë, kur lutemi.
Zoja e Bekuar, Nëna e Kishës; Shën Serafini nga Montegranaro, laik kapuçin dhe Shën Edisti, martir që do të kremtohen të premten e ardhshme, na kujtojnë se në luftën kundër djallit, Jezusi dëshmon se është më i fortë. Duke qenë tepër i ligshtë, njeriu nuk mund të fitojë kurrë kundër së keqes, në se nuk e ka gjithnjë përkrah Jezusin. Të bashkojmë zërin tonë me thirrjen ‘Duku, o Zot, diell i drejtësisë’ që jehon në liturgjinë e festës së Shën Teofilit, ipeshkëv i Antiokisë, i cili do të përkujtohet të shtunën e ardhshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.