2007-10-05 18:13:20

Sot Kisha përkujtoi Shenjtorët Plaçidi e Mauri e përkujtime të tjera.


(05.10.2007 RV)Plaçidi dhe Mauri, nxënësit më të dashur të Shën Benediktit, u bënë të njohur përmes një episodi, që tregohet nga Shën Gregori i Madh në veprën e tij ‘Dialogët’.
Shën Gregori tregon sesi një ditë, në sa Benedikti ishte në qelën e tij, Plaçidi u nis për të mbushur ujë në liqen. Humbi drejtpeshimin e ra në ujë. Në sa po e merrte rrjedha, duke e shtyrë larg bregut, Abati pa në vegim gjithçka po ndodhte. Thirri atëherë Maurin dhe e nisi për të shpëtuar sivëllaun. E djaloshi u nis vrap, arriti bregun e, pa u kujtuar fare, filloi të ecte mbi ujërat, si Shën Pjetri në liqenin e Tiberiades e si shoqëruesit e Zojës së Këshillit të Mirë. Arriti tek Plaçidi, që po fundosej, e kapi për flokësh dhe e shpëtoi. Vetëm pasi e kishte shpëtuar, u kujtua se kishte ecur mbi ujëra.
Sipas Shën Benediktit, mrekullia ndodhi për shkak të dëgjesës së Maurit, ndërsa nxënësi ngulte këmbë se kishte ndodhur me ndërmjetësimin e Abatit. Kërkuan mendimin e Plaçidit, e ai u përgjigj: “Kur ndjeva se po më nxirrnin nga uji, hapa paksa sytë, pashë mbi kokën time mantelin e abatit e mendova se ishte ai që po më shpëtonte”.
Kaq mësojmë nga shkrimi i Shën Gregorit të Madh, ndërsa në një biografi apokrife të gjysmës së shekullit IX, lexojmë se Mauri u dërgua nga mësuesi i tij në Francë, ku themeloi manastirin benediktin të Glanfëj në Anzhu e ku edhe vdiq, pasi bëri shumë mrekulli.
Të dhënat për jetën dhe vdekjen e Shën Plaçidit janë edhe më të pakta. Disa biografë shënojnë se vdiq i martirizuar nga saraçenët në Sicili.

 
Mozaik ngjarjesh kishtare e historike.
Më 5 tetor 1980, gjatë vizitës në Otranto të Italisë, nga brigjet e përtejme të Adriatikut, Papa Gjon Pali II i drejtoi popullit shqiptar mesazhin e parë të dashurisë atërore dhe të kujdesit për grigjën e vogël, të martirizuar, të katolikëve, nën thundrën e diktaturës komuniste. Në homelinë e Meshës Shenjte, kushtuar martirizimit të të krishterëve në shekuj, Papa sensibilizoi mbarë botën me fjalët: “E kështu sot nuk mund të mos e hedh vështrimin përtej detit, ku Kisha heroike e Shqipërisë tronditet thellë nga persekutimi i gjatë, por edhe pasurohet nga dëshmia e martirëve të saj; ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë, rregulltare e besimtarë të thjeshtë”.
Vijojmë shfletimin e kalendarit: më 5 tetor 1732, në Kozencë të Kalabrisë , me kujdesin dhe ndihmën e drejtpërdrejtë të Papës Klementi XII, u themelua Kolegji i Shën Benedetto Ulanos, që më vonë u transferua në Shën Mitër Korone dhe u quajt Kolegji i Shën Adrianit.
Kolegji i Shën Benediktit u hap në një manastir të vjetër bazilian, nën drejtimin e Shën Nilit të Rosanos. Kishte për qëllim të përgatiste klerin shqiptar të ritit lindor, që do të shërbente në kishat arbëreshe e mundësisht edhe në Shqipëri, por jo më pak edhe laikët. Dimë se priftërinjtë dhe rregulltarët e përgatitur në këtë kolegj, do të kapërcenin Adriatikun, për të themeluar manastiret dhe shkollat e tyre në bregun tjetër, e pikërisht në Himarë e rrethina, siç kujton, në këndvështrimin e vet, Petro Marko në librin e tij postum "Intervistë me vetveten".
Ndërkaq më 1734 në Palermo të Sicilisë, Atë Guxeta do të hapte një tjetër kolegj me të njëjtin qëllim, që gjithashtu i dhuroi fytyra të ndritura kulturës shqiptare.
Në prag të Rilindjes Kombëtare kolegji do të bëhej vatra më e nxehtë e ndjenjave të flakta të atdhedashurisë e të dëshirës për t'u çliruar nga pushtuesi. Këtu De Rada më 1899 do të rifillonte të jepte mësimin e gjuhës shqipe, këtu do të edukoheshin disa nga yjet më të ndritura të plejadës që do të dukej në horizontin e Rilindjes Kombëtare Shqiptare e jo më pak të asaj italiane.
Po kujtojmë vetëm emrat e De Radës, Anton Santorit, Mikel Markianoit, Luigj Gurakuqit, Kolë Kamsit, Kostaq Cipos.
Së fundi, kujtojmë edhe se më 5 tetor 1864 lindi shpikësi francez Lyi Lymiere, i cili bashkë me të vëllain, August, zhvilloi një proces për fotografimin me ngjyra, ndërsa u bë i njohur si krijuesi i kinemasë.Me emrin e tij lidhen fillimet e artit të fotografisë në Shqipëri: vëllezërit Lymiere qenë mësuesit e Kel Marubit, fotografit të parë shqiptar i cili, i ndjekur nga breznitë tjera të Marubëve, na la si trashëgim fototekën e parë e më të pasur shqiptare, me vlerë të pallogaritshme edhe për historinë e Kishës, sepse në objektivin e aparatit të tij u fiksuan për më se një shekull ngjarjet më të rëndësishme kishtare.







All the contents on this site are copyrighted ©.