2007-10-05 18:11:56

Papa, komisionit teologjik ndërkombëtar: Ligji moral natyror siguron mbrojtjen e dinjitetit të njeriut kundër sulmit të ideologjive dhe të relativizmit etik.


(05.10.2007 RV)RealAudioMP3 “Asnjë ligj i hartuar nga njerëzit nuk mund ta përmbysë ligjin e shkruar nga Krijuesi i njeriut”. Ky është një nga fragmentet kryesore të fjalimit që mbajti Benedikti XVI sot paradite, gjatë audiencës me anëtarët e Komisonit Teologjik ndërkombëtar, me rastin e sesionit plenar të organizmit vatikanas. Fjalimi u përqendrua kryesisht tek përmbajtja etike e fesë së krishterë dhe tek vlera e ligjit natyror, kështjellë e pathyeshme kundër prirjes së relativizmit etik, që përpiqet të sundojë në botën e sotme.
Etika universale – kujtoi Benedikti XVI – i përket trashëgimisë së madhe të diturisë njerëzore e cila, në një farë mënyre, përbën pjesëmarrjen e krijesës së arsyeshme në ligjin e amshuar të Zotit. Papa ripohoi se doktrina mbi ligjin moral ndriçohet e zhvillohet plotësisht nën dritën e zbulesës së krishterë. Më pas theksoi dy qëllimet kryesore të kësaj doktrine:
“Nga njëra anë, kuptohet se përmbajta etike e fesë së krishterë nuk përbën një imponim që i diktohet ndërgjegjes njerëzore nga jashtë, por një normë që e ka themelin në vetë natyrën njerëzore; nga ana tjetër, ligji natyror i cili për vetë natyrën e tij është i kuptueshëm për çdo krijesë të arsyeshme, shërben si bazë për të hyrë në dialog me të gjithë njerëzit vullnetmirë e, përgjithësisht, me shoqërinë civile e shekullare”.
Gjithsesi- vijoi të reflektonte Papa - për shkak të ndikimit të faktorëve me natyrë kulturore dhe ideologjike, shoqëria civile dhe shekullare e ditëve tona ndodhet në gjendje hutimi e konfuzioni. Madje njerëzit nuk e kanë më të qartë ç’do të thotë njeri dhe etikë njerëzore, në sa doktrina e ligjit moral ndeshet me konceptime të tjera, që janë mohim i saj, me pasoja të rënda për rendin civil e shoqëror. Në veprat e jo pak mendimtarëve duket se sot sundon mendimi pozitivist mbi të drejtën, sipas të cilit shoqëria, ose faktikisht shumica e qytetarëve, bëhet burimi përfundimtar i ligjit civil:
”Pra problemi që shtrohet për zgjidhje, nuk është kërkimi i së mirës, por ai i pushtetit, ose më mirë të themi, i ekuilibrit të pushteteve. Në rrënjët e kësaj prirjeje është relativizmi etik, të cilin disa arrijnë deri atje, sa ta shikojnë si një nga kushtet kryesore të demokracisë sepse, sipas tyre, relativizmi garantoka tolerancën e respektin reciprok ndërmjet njerëzve. Por në se do të ishte kështu, shumica e një çasti do të bëhej burimi përfundimtar i së drejtës. Në sa historia dëshmon tepër qartë se shumicat mund të gabojnë”.
Ligji natyror – shpjegoi akoma Papa - bëhet garanci e vërtetë për çdo njeri që dëshiron të jetojë i lirë, i respektuar e i mbrojtur nga manipulimet ideologjike, nga veprimet arbitrare e nga padrejtësitë e më të fortit.Pikërisht nga respektimi i ligjit moral natyror – theksoi me forcë Ati i Shenjtë – varet përparimi i njerëzve të veçantë dhe i mbarë shoqërisë në rrugën e progresit të vërtetë, në përkim me arsyen e drejtë, që është pjesëmarrje në Arsyen e amshuar të Hyjit.







All the contents on this site are copyrighted ©.